Irani është i ndjeshëm ndaj sigurisë së objekteve të tij bërthamore
Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, duke folur mbi parandalimin e një inspektoreje të ANEA nga hyrja në objektin e pasurimit të uraniumit në Natanz, vuri në dukje se siguria e objekteve bërthamore të Iranit nuk është e negociueshme.
Pasi mori pjesë në një takim të veçantë të Bordit të Guvernatorëve të ANEA, Kazem Gharib Abadi u tha gazetarëve të enjten se ai kishte paraqitur një raport të plotë për kohën e ngjarjeve që ndodhën nga hyrja e inspektores në objektin bërthamor të Natanz, deri në daljen e saj nga vendi, dhe tha se Irani ka shqetësime për sigurinë bërthamore. Një inspektore e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike është larguar nga Irani pasi ajo ishte ndaluar të hynte në një objekt bërthamor të Republikës Islamike për posedimin e materialeve "të dyshimta". "Siç është protokoll, të gjitha sendet e inspektorëve të ANEA inspektohen dhe skanohen përpara se të hyjnë në cilindo nga objektet bërthamore të vendit", tha Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në organizatat ndërkombëtare në Vjenë. "Me hyrjen e kësaj inspektoreje, makinat e kontrollit të sigurimit dhanë alarmin dhe mohuan hyrjen e saj," tha Gharib Abadi, duke shtuar më pas se Irani e kishte raportuar këtë çështje në ANEA. Ai u tha anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve, se "duke pasur parasysh historinë e sabotimit në objektet bërthamore të Iranit, ne nuk do të bëjmë kompromis në asnjë rrethanë mbi sigurinë kombëtare dhe sigurinë e objekteve bërthamore dhe i kërkojmë Agjencisë të bashkëpunojë me ne për të kryer një hetim të tërësishëm".