Musavi: Irani ende s'ka vendosur të largohet nga NPT
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Sejed Abas Musavi tha të dielën se hapat e Iranit në pezullimin pjesërisht të detyrimeve të tij në përgjigje të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës "janë të llogaritura".
"Republika Islamike e Iranit nuk ka marrë ende ndonjë vendim për të lënë traktatin NPT," u tha ai gazetarëve në Teheran gjatë një konference javore për mediat. "Irani ka analizuar skenarë të ndryshëm dhe do të zbatojë masat e tij të nevojshme bazuar në kërkesat e kohës dhe masat e marra nga pala e kundërt," shtoi Musavi. Irani e nënshkroi traktatin NPT - qëllimi i të cilit është të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe të teknologjisë së këtyre armëve - në korrik 1968 dhe e ratifikoi atë në shkurt 1970. Musavi hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve izraelitë për një depo të dyshuar bërthamore në Turkuzabad në jug-perëndim të Teheranit, si dhe raportet që ANEA kishte gjetur gjurmë radioaktive atje. Pohime të tilla, tha ai, kanë për qëllim rihapjen e të ashtuquajturës dosje të dimensioneve të mundshme ushtarake (PMD) në programin bërthamor të Iranit. "Dosja e ashtuquajtur PMD është e mbyllur dhe sionistët janë duke u përpjekur ta rihapin atë," tha Musavi duke shtuar: " Ky është një kurth i krijuar nga sionistët dhe shpresojmë që Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të ushtrojë vigjilencën e nevojshme në lidhje me këtë çështje".