Irani kërkon përpjekje të përbashkëta rajonale kundër pasigurisë dhe komploteve të SHBA
Zyrtari më i lartë i Iranit për sigurinë ka theksuar nevojën për bashkëpunim kolektiv në rajon për të luftuar pasigurinë dhe për të penguar komplotet e SHBA për të mbjellë mosmarrëveshje midis vendeve myslimane.
Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Shamkhani e bëri deklaratën në një takim të zhvilluar të martën në Teheran me gjeneral Kamar Xhavid Baxhva, shefin e ushtrisë së Pakistanit. Shamkhani tha se Uashingtoni është përpjekur të krijojë përçarje midis vendeve myslimane në përpjekje për të zgjeruar mbizotërimin e tij dhe për të garantuar sigurinë e regjimit të Izraelit. Në të kundërt, shtoi ai, strategjia e Iranit është të promovojë marrëdhënie dhe bashkëpunim me shtetet rajonale dhe fqinjët, veçanërisht Pakistanin. Admiral Shamkhani gjithashtu theksoi nevojën për zhvillimin e lidhjeve të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë midis Teheranit dhe Islamabadit në një përpjekje për të ndihmuar në krijimin e sigurisë së qëndrueshme në rajon. Për më tepër, ai kritikoi luftën e Arabisë Saudite ndaj Jemenit si një shembull i qartë i nxitjes së pasigurisë në rajon dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, duke u bërë thirrje kombeve myslimanë që të ushtrojnë presion ndaj regjimit të Riadit dhe "menjëherë të ndalojnë këtë genocid të egër". Gjenerali pakistanez, nga ana e tij, bëri thirrje për marrëdhënie të zgjeruara në sektorin e mbrojtjes me Iranin. Duke ju referuar komploteve nga shtetet jashtë rajonit për të provokuar luftë dhe përçarje midis vendeve myslimane, ai theksoi se përballja me këtë "qasje të rrezikshme" duhet të jetë një përparësi kryesore për botën myslimane. Gjeneral Baxhva përshëndeti qëndrimin e vendosur të Iranit për të mbështetur kauzën e Palestinës dhe popullit të saj kundër okupimit izraelit.