Irani i përgjigjet kërcënimit izraelit
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abas Musavi reagoi ndaj pretendimeve të një zyrtari të regjimit sionist dhe nënvizoi se Republika Islamike e Iranit do të përgjigjet me një përgjigje shkatërruese dhe penduese ndaj çdo agresioni ose veprimi të pamatur të këtij regjimi kundër interesave të Iranit në rajon, përfshirë Sirinë.
Duke iu referuar natyrës terroriste dhe okupuese të regjimit sionist, Musavi tha se themeli dhe natyra e këtij regjimi gjatë 70 viteve të fundit është mbështetur në okupimin e Palestinës dhe vendeve fqinje të saj, masakrimit, plaçkitjes, vrasjes dhe agresionit. Ai theksoi se prania e Republikës Islamike të Iranit në Siri ishte e bazuar në ftesën dhe miratimin e qeverisë siriane me qëllim luftimin e terrorizmit të sponsorizuar nga SHBA dhe Izraeli, dhe shtoi: "Vendi ynë nuk do të hezitojë të mbrojë praninë e tij në Siri dhe duke mbrojtur sigurinë e tij kombëtare dhe interesat rajonale do t'i japë një përgjigje vendimtare dhe shkatërruese çdo akti agresiv ose të pamatur". Ministri izraelit i Mbrojtjes Naftali Bennett tha të martën se Izraeli ishte në një fushatë të vazhdueshme për të dobësuar Iranin dhe për ta detyruar atë të tërhiqet nga Siria. "Ne po punojmë vazhdimisht për të rritur kostot për Iranin derisa të arrijmë qëllimin tonë përfundimtar: tërheqjen e Iranit nga Siria. Ne do të vazhdojmë të parandalojmë një prani iraniane në kufirin tonë verior", tha Bennett cituar nga Jerusalem Post.