Irani mirëpret çdo iniciativë që synon ndaljen e luftës në Jemen
Ministria e Jashtme iraniane tha se Teherani, si kurdoherë, mirëpret çdo iniciativë, përfshirë një propozim të fundit të OKB për armëpushim, që mund të ndalojë luftën pesë-vjeçare të nisur nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj kundër Jemenit dhe bllokadën e tyre kundër këtij vendi të varfër.
"Jemeni është përballur me krizën më të madhe humanitare në botë si rezultat i një lufte shkatërruese," tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abas Musavi. Ai kujtoi sesi lufta dhe bllokimi i njëkohshëm ajror, detar dhe tokësor i agresorëve të Jemenit kanë bllokuar rrugën e ndihmës humanitare për popullin jemenas që nga fillimi i luftës në Mars 2015. "Dhe tani përhapja e sëmundjes së koronavirusit, si pasojë e mungesës së mjeteve më themelore dhe situata e rëndë humanitare në vend ka dyfishuar shqetësimet," vuri në dukje zëdhënësi iranian. Musavi përkrahu një propozim nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, i cili kërkoi "një armëpushim të menjëhershëm global në të gjitha cepat e botës". Ai tha se propozimi që është mirëpritur gjithashtu nga Qeveria e Shpëtimit Kombëtar të Jemenit mund të shërbejë si një "hap i rëndësishëm" për parandalimin e vdekjeve të mijëra njerëzve të pafajshëm dhe hapjen e një dritare për vendosjen e paqes dhe stabilitetit.