Testi raketor konfirmon rëndësinë e potencialit ushtarako-industrial të Iranit
(last modified Sat, 20 Jun 2020 05:54:37 GMT )
Qershor 20, 2020 07:54 Europe/Tirane
  • Testi raketor konfirmon rëndësinë e potencialit ushtarako-industrial të Iranit

Të enjten, më 18 qershor, njësitë balistike të Marinës së ushtrisë iraniane testuan me sukses dy raketa cruise me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi.

Testimet u bënë në një zonë në veri të Oqeanit Indian dhe në Detin e Omanit. Sipas një deklarate të ushtrisë iraniane, "raketat cruise tokë-det me rreze të gjatë kanë shkatërruar me sukses objektivat e paracaktuar në një distancë prej 280 kilometrash ndërsa rrezja e këtyre raketave mund të rritet". Mikhail Gamandiy-Egorov, analist-kronist në agjencinë Observator Continental, në lidhje me këtë testim u shpreh: "Kjo konfirmon rëndësinë e potencialit ushtarako-industrial të Republikës Islamike të Iranit, kur shohim që këto ushtrime janë kryer me sukses dhe se objektivat janë arritur, mendoj se kjo konfirmon potencialin e përgjigjes mbrojtëse të Iranit; kjo konfirmon në të njëjtën kohë të gjithë potencialin shkencor iranian, Irani përmes këtij testimi konfirmoi se ka një potencial të rëndësishëm ushtarako-teknik. Irani nuk është një vend që dëshiron luftë, por përmes këtyre lloj ushtrimesh Irani tregon se është plotësisht i aftë të përballet me sfidat që mund të fillojnë, në veçanti me agresionet të cilat mund ta synojë atë ". I pyetur në lidhje me përpjekjet e SHBA për të zgjatur embargon e armëve ndaj Iranit, Mikhail Gamandiy-Egorov u përgjigj: "Unë mendoj se shqetësimi i amerikanëve është për shkak të disa arsyeve, para së gjithash ajo që i frikëson ata është pikërisht fakti se Irani tashmë në situatën aktuale ka një kapacitet mbrojtës shumë të fuqishëm; ata kanë frikë se me heqjen e embargos, Irani do të forcojë më tej kapacitetin e tij mbrojtës, përfshirë përmes kontratave të cilat mund të nënshkruhen në nivelin ushtarako-teknik me vende si Rusia ose Kina dhe nga ana tjetër ekziston frika për ta parë Iranin si një konkurrent të ri në tregun e armatimeve. Të shohin një vend si Irani, aftësitë shkencore të të cilit janë të njohura, të shfaqet në tregun e armëve, krijon një frikë shtesë për interesat amerikane ". Ndërkohë, Komandanti i Përgjithshëm i Forcës Detare Iraniane, Admirali, Husein Khanzadi, tha se Irani po projektonte raketa hipersonike. "Motorët e raketave iraniane cruise do t'i nënshtrohen modifikimeve. Raketat tona tashmë kanë tejkaluar intervalin prej 300 kilometrash, por ne do të rrisim rrezen e tyre në të ardhmen e afërt ", tha Admiral Khanzadi. Ai gjithashtu njoftoi vendimin e ushtrisë iraniane për të prodhuar sisteme vertikale të lëshimit që do të lejonin instalimin e më shumë raketave në luftanije.