Asad pret Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Iranit
(last modified Fri, 10 Jul 2020 07:25:45 GMT )
Korrik 10, 2020 09:25 Europe/Tirane
  • Asad pret Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Iranit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura iraniane u takua me Presidentin Sirian Bashar Asad në kryeqytetin Damask të enjten 9 korrik, njoftoi Presidenca Siriane.

Gjeneral Major Muhamed Bakeri po viziton Sirinë në krye të një delegacioni për të nënshkruar marrëveshje ushtarake dhe sigurie midis Damaskut dhe Teheranit. Ai u prit nga Presidenti Asad në Pallatin Presidencial. Gjatë takimit, Presidenti sirian tha se ishte i kënaqur me rezultatet e takimeve bilaterale midis Damaskut dhe Teheranit dhe nënshkrimit të një marrëveshje madhore të bashkëpunimit ushtarak dhe teknik midis dy vendeve, duke shtuar se kjo marrëveshje pasqyron nivelin e marrëdhënieve midis Iranit dhe Sirisë, që është fryt i viteve të bashkëpunimit të përbashkët në luftën kundër terrorizmit në Siri. Sipas deklaratës së Presidencës Siriane, Gjeneral Major Bakeri theksoi rëndësinë e përpjekjeve të Iranit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve mike në të gjitha fushat, duke theksuar se kjo u shërben interesave të të dy vendeve dhe do të mbrojë pavarësinë e të dy vendeve përballë përpjekjeve të fuqive të huaja për të ndërhyrë në punët e tyre të brendshme. Irani dhe Siria si dy vende partnerë strategjikë në rajonin e Azisë Perëndimore, kanë nënshkruar një marrëveshje të gjerë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ushtarake dhe të sigurisë. Kjo marrëveshje është gurthemeli për bashkëpunimet ushtarake dhe të sigurisë mes Iranit dhe Sirisë në të ardhmen. Marrëveshja u nënshkrua në përfundim të vizitës së gjeneral Muhamed Bakeri shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Iranit në Damask të Sirisë dhe pas takimit me Ali Abdullah Ajub ministër i mbrojtjes i Sirisë. Irani do të forcojë mbrojtjen ajrore të Sirisë, si pjesë e një marrëveshje më të gjerë të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve. "Ne do të forcojmë sistemet e mbrojtjes ajrore të Sirisë brenda kornizës së forcimit të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve", tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Gjeneral Major, Muhamed Bakeri, të Mërkurën pas nënshkrimit të një marrëveshje "gjithëpërfshirëse" me Ministrin Sirian të Mbrojtjes Ali Abdullah Ajub në Damask për të forcuar bashkëpunimin ushtarak dhe mbrojtës.