Ruhani përjashton mbylljen e vendit
Presidenti Hasan Ruhani tha se Irani nuk mund të lejojë të mbyllë ekonominë e tij në mes të sanksioneve më të ashpra amerikane, të cilat po pengojnë luftën e vendit kundër pandemisë së koronavirusit.
“Mbyllja e bizneseve nuk është e mundur në planin afatgjatë. Asnjë qeveri nuk mund të mbyllë aktivitetet ekonomike të vendit të saj në planin afatgjatë," tha Presidenti Ruhani gjatë një takimi televiziv me komitetin e luftës kundër korornavirusit në Teheran. “Mënyra për të dalë nga këto kushte është të kryhen aktivitetet e nevojshme ekonomike, sociale, kulturore dhe nevoja të tjera në përputhje me protokollet shëndetësore. Nuk ka rrugë të dytë. Të gjithë duhet të përpiqen," shtoi Ruhani. Zgjidhja më e thjeshtë, tha ai, ishte mbyllja e të gjitha aktiviteteve, por "ditën tjetër, njerëzit do të dilnin për të protestuar kundër kaosit, urisë, vështirësive dhe presionit". "Njerëzit tanë të dashur janë të vetëdijshëm që ne jemi përballur me COVID-19 për pesë muaj dhe kemi pasur ulje-ngritje në luftën me këtë sëmundje," tha Ruhani. Ai i bëri thirrje publikut që të bashkëpunojë me qeverinë duke respektuar protokollet shëndetësore. "Nëse ky bashkëpunim prishet, suksesi ynë do të pengohet. Koronafobia dhe injorimi i virusit janë të dy të rrezikshëm, "tha Presidenti iranian Hasan Ruhani.