Avioni luftarak amerikan rrezikon avion civil Iranian
Dy avionë luftarakë amerikanë kanë shkaktuar probleme dhe rrezik për një avion të transportit civil të kompanisë iraniane Mahan që po fluturonte drejt Libanit.
Sipas një raporti të agjencisë Mehr të lajmeve, 2 avionë luftarakë amerikanë i janë afruar avionit të transportit civil të kompanisë ajrore Mahan mbi hapësirën qiellore të Sirisë duke e vënë në rrezik këtë avion. Pas ngacmimeve të avionëve luftarakë amerikanë, piloti i avionit civil Mahan për të mos u përplasur me ata është detyruar të ulë lartësinë e fluturimit dhe nga kjo ngjarje disa pasagjerë janë dëmtuar. Avionët luftarakë amerikane i janë afruar avionit civil iranian deri në 100 metra largësi. Sipas pilotit të avionit Mahan, dy avionët luftarakë që kanë vënë në rrezik avion civil ishin amerikanë, pasi në kontaktet që piloti ka pasur me avionët luftarakë për t’i paralajmëruar ata që të respektojnë distancën, ata veten e kanë prezantuar si amerikanë. Burimet informative thonë se avionët luftarakë amerikanë duke u fshehur tek avioni civil iranian kishin ndërmend të aktivizonin sistemin mbrojtës ajror të Sirisë që ai të qëllonte avionin civil. Avioni civil iranian i kompanisë Mahan arriti shëndosh e mirë në aeroportin e Bejrutit. Ndërkohë një funksionar i mbrojtjes në Amerikë ka pretenduar se avionët amerikanë F-15 kanë fluturuar në distancën 1 mijë metra larg avionit civil iranian në afërsi të bazës ajrore amerikane në Siri. Bill Orban zëdhënës i komandës qendrore amerikane i cili është përgjegjës për operacionet ushtarake në Azinë Perëndimore ka thënë se avionët luftarakë kanë kryer mision kontrolli mbi avionin civil Mahan për të garantuar sigurinë e personelit të koalicionit në këtë bazë.