SHBA duhet të mbahet përgjegjëse për mbështetjen e grupeve terroriste
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abas Musavi të Shtunën tha se SHBA duhet të jetë përgjegjëse për mbështetjen e grupeve terroriste të cilat nga Shtetet e Bashkuara po kryejnë sabotime dhe operacione terroriste kundër popullit iranian dhe po derdhin gjakun e qytetarëve iranianë.
Duke i shprehur mirënjohje Ministrisë së Inteligjencës së Iranit për arrestimin e kreut të një grupi terrorist anti-iranian me bazë në SHBA, Musavi tha se regjimi amerikan prezantohet si përkrahës i popullit iranian, ndërsa ky regjim ka përgjegjësi për shumë operacione terroriste brenda Iranit që janë kryer në mënyra të ndryshme kundër popullit iranian. Duke u ankuar ndaj qeverisë amerikane, ai tha se SHBA duhet të mbahen përgjegjëse për mbështetjen e këtij grupi terrorist dhe kriminel, i cili nga brenda Shteteve të Bashkuara udhëheq operacione sabotimi, sulme të armatosura dhe terroriste kundër popullit iranian dhe derdh gjakun e qytetarëve iranianë. Ministria e Inteligjencës së Iranit ditën e shtunë me anë të një deklarate për media, ka deklaruar: “Xhamshid Sharmahd, kreu i grupit terrorist “Tondar” i cili nga Amerika drejtonte operacione të armatosura dhe destruktive në Iran, është arrestuar gjatë një operacioni të ndërlikuar të forcave të sigurisë dhe inteligjencës së Iranit”. Tondar, ose Asambleja e Mbretërisë së Iranit, i njohur gjithashtu si Ushtarë të Asamblesë së Mbretërisë së Iranit, është një grup i armatosur terrorist monarkist që kërkon të rrëzojë qeverinë në pushtet dhe të rivendosë monarkinë në Iran.