Pse "Lejletul-Ragha'ib" quhet "Nata e Dëshirave"?
-
Pse "Lejletul-Ragha'ib" quhet "Nata e Dëshirave"?
Pars Today - Nata e së premtes së parë të muajit Rexheb quhet Nata e Dëshirave ose "Laylat al-Ragha'ib", për të cilën janë përmendur shumë virtyte në transmetime.
Sipas Pars Today, muaji i virtytshëm Rexheb përmban evente dhe ditë që disafishojnë përfitimet e këtij muaji për robët e Zotit. Ajo që është paraparë për muajt Rexheb dhe Sha'ban është një paraprirje për vetëpërmirësim dhe hyrje në muajin e bekuar të Ramazanit, në mënyrë që njeriu të jetë i përgatitur për të pranuar dhe kuptuar madhështinë e këtij muaji të madhërishëm.
Nata e së premtes së parë të muajit Rexheb quhet "Lejletul-Ragh'aib". Ajo që e bën këtë natë të quhet Nata e Dëshirave është marrë nga rrënja "ra-gha-be" që do të thotë dëshirë dhe mall për diçka. Një natë, në të cilën dëshira dhe vëmendja për adhurim dhe shërbim është e bollshme, dhe robët e mirë e të denjë të Zotit kanë një dëshirë të madhe për të shkuar në derën e shtëpisë së Zotit dhe për të komunikuar e për të qenë pranë Zotit të tyre në këtë natë. Për këtë natë mund të supozohet edhe një kuptim tjetër, që është falja dhe mëshira e Zotit.
Agjërimi
Një nga aktet e veçanta të kësaj nate është agjërimi gjatë ditës. Një nga aktet e veçanta gjatë muajit Rexheb është agjërimi, të cilit i janë atribuar shumë virtyte. Në transmetime është thënë se nëse një person agjëron vetëm një ditë të muajit të bekuar Rexheb, i shtyrë nga besimi dhe vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit, ai do të jetë i denjë për nivelet më të larta të kënaqësisë së Zotit.
Kushdo që agjëron dy ditë të muajit Rexheb, do të arrijë në një nivel ku asnjë nga banorët e qiejve dhe të tokës nuk do të jetë në gjendje të përshkruajë dinjitetin dhe respektin që ai ka në pranë Zotit. Përveç kësaj, për të është shkruar një shpërblim që është i barabartë me shpërblimin e dhjetë njerëzve të devotshëm që nuk kanë gënjyer kurrë në tërë jetën e tyre (pavarësisht se sa e gjatë ka qenë ajo).
Transmetohet se nëse një person nuk është në gjendje ta bëjë këtë, ai duhet t'i recitojë këto lavde (tesbihe) njëqind herë çdo ditë për të fituar shpërblimin e agjërimit:
سُبْحَانَ الْإِلَهِ الْجَلِیلِ سُبْحَانَ مَنْ لا یَنْبَغِی التَّسْبِیحُ إِلا لَهُ سُبْحَانَ الْأَعَزِّ الْأَکْرَمِ سُبْحَانَ مَنْ لَبِسَ الْعِزَّ وَ هُوَ لَهُ أَهْلٌ
"Subhanel-Ilahil-Xhelil, Subhane Men la jenbeghi't-tesbihu il-la lehu, Subhane'l-A'azzi'l-Ekrem, Subhane Men lebise'l-Izze ue huve lehu Ehl"
“Lavdi Zotit, të Madhërishmit, lavdi vetëm Atij të Cilit i takon lëvdata, lavdi Më të Fuqishmit, Më Bujarit, lavdi Atij që veshi fuqinë dhe Ai është i denjë për të.”
Lutja e veçantë për natën e "Laylat al-Ragha'ib"-it
Në një transmetim thuhet se kur kalon një e treta e natës, nuk ka engjëll që të mos vijë në krah të Qabes. Pastaj Allahu i shikon ata me mëshirë dhe thotë: “O engjëjt e mi, kërkoni nga Unë çfarë të dëshironi!” Engjëjt thonë: “O Allah, nevoja dhe kërkesa jonë është që Ti t'i falësh ata që agjërojnë në muajin Rexheb”. Allahu, i Plotfuqishmi, thotë: “Unë i kam falur ata!”
Për këtë natë, në librin "Mafatih al-Xhinan" përmendet: Dhe cilësia e saj (nate) është e tillë që të agjërosh të enjten e parë të atij muaji, dhe kur të hyjë nata e xhumasë, midis namazit të akshamit dhe të jacisë, të falësh 12 rekate namaz; çdo dy rekate me të njëjtin selam, dhe në secilin rekat të recitosh (suret) "El-Hamd" një herë, "Inna anzalnahu" tri herë, dhe "Kul Hu Allahu Ehad" 12 herë; dhe kur të përfundosh namazin, të thuash 70 herë «اَللّهُمَّ صَلِّ عَلی مُحَمَّدٍ النَّبِیِّ الاُمِّیِّ وَعَلی آلِهِ» {Allahumme sal-li 'ala Muhammedin en-nebijji'l-umijji ue 'ala alih - "O Allah, bekoje Muhammedin, Profetin që nuk di shkrim e këndim dhe Familjen e tij!"}; pastaj të shkosh në sexhde dhe të thuash 70 herë: «سُبُّوحٌ قُدُّوسٌ رَبُّ الْمَلائِکَةِ وَالرُّوحِ» {Subbuhun Kuddusun Rabbu'l-melaiketi ue'r-ruh - "I Lavdëruar dhe i Shenjtë është Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit!"}; pastaj të ngresh kokën nga sexhdeja dhe të thuash 70 herë: «رَبِّ اغْفِرْ وَارْحَمْ وَتَجاوَزْ عَمّا تَعْلَمُ اِنَّکَ اَنْتَ الْعَلِیُّ الاَعْظَمُ» {Rabbighfir uerham ue texhauez 'amma ta'lem. Inneke ente'l-'Alijju'l-A'dham - "Zoti im, më fal, më mëshiro dhe mos e shqyrto imtësisht atë që di (rreth meje), sepse Ti je Më i Larti, Më Madhështori!"); pastaj të shkosh përsëri në sexhde dhe të thuash 70 herë: «سُبُّوحٌ قُدُّوسٌ رَبُّ الْمَلائِکَةِ وَالرُّوحِ» {Subbuhun Kuddusun Rabbu'l-melaiketi ue'r-ruh - "I Lavdëruar dhe i Shenjtë është Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit!"}; pastaj të kërkosh atë që ke nevojë, që me vullnetin e Zotit, do të të plotësohet. Ndër veprat e kësaj nate është namazi, për shkak të të cilit falen shumë mëkate.
I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) për shpërblimin e këtij namazi ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, asnjë rob i Zotit, qoftë mashkull apo femër, nuk e kryen këtë namaz përveçse Zoti ia fal mëkatet, edhe nëse ato janë si shkuma e detit, sa numri i kokrrizave të rërës, sa pesha e maleve apo sa numri i gjetheve të pemëve; dhe në Ditën e Gjykimit, ai do të ndërmjetësojë për shtatëqind vetë nga të afërmit e tij, të cilët të gjithë meritojnë të jenë në Zjarr. Dhe natën e parë të varrit, Zoti ia dërgon shpërblimin në formën më të mirë, me një fytyrë të çelur e të qeshur dhe një gjuhë elokuente, duke i thënë: "O i dashuri im, më shpërble për myzhdenë se je shpëtuar nga çdo vështirësi." Ai e pyet: Kush je ti? Nuk kam parë kurrë një fytyrë më të bukur se e jotja dhe nuk kam nuhatur kurrë një aromë kaq të këndshme sa e jotja. Ai përgjigjet: O i dashuri im, unë jam shpërblimi i namazit që ke kryer në filan natë, në filan vend, në filan muaj dhe në filan vit. Kam ardhur sonte për të përmbushur të drejtën tënde, për të të qenë pranë gjatë vetmisë tënde dhe për të ta larguar frikën si dhe për të shtrirë një hije mbi kokën tënde në Ditën e Gjykimit kur t'i fryhet bririt (Sur). Dhe ti nuk do të humbasësh kurrë asnjë të mirë nga Zoti yt.”