Katari e nis Kampionatin Botëror me disfatë
Ekuadori e ka nisur me fitore fazën e grupeve të Kampionatit Botëror, duke mposhtur 2-0 organizatorin e turneut, Katarin.
Në minutën e tretë të takimit, mysafirët tundën rrjetën e vendasve, por goli i Enner Valencias u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Mirëpo, në minutën e 16-të, kapiteni Valencia ia doli më në fund ta kalonte ekipin e tij në epërsi, duke realizuar nga penalltia. Sulmuesi vazhdoi me paraqitje brilante, pasi ia doli të shënonte edhe të dytin personal (31’), ndërsa Preciado ishte asistuesi. Me rezultatin 2-0 përfundoi pjesa e parë, derisa e dyta ishte me një ritëm më të ulët. Ekuadorianët dominuan edhe në 45 minutat e dytë të takimit, por nuk ia dolën të shënonin më gola, derisa Katari nuk ia doli të regjistronte një goditje në kuadratin e portës kundërshtare. Rastin më të mirë në këta minuta e pati Romario Ibarra në minutën e 55-të, por që goditja e tij u prit nga portieri Saad Al Sheeb. Me këtë fitore, Ekuadori është lider i Grupit A me tri pikë, ndërsa Holanda e Senegali do takohen nesër (e hënë), ndërsa nikoqiri Katari është në vend të fundit.