Dëshirat për ikjen e Merkel
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i13954-dëshirat_për_ikjen_e_merkel
Kancelarja gjermane e cila llogaritej si politikania më e fuqishme në Evropë, dita ditës është duke i rënë popullariteti i saj në Gjermani.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 13, 2016 17:44 Europe/Tirane
  • Dëshirat për ikjen e Merkel

Kancelarja gjermane e cila llogaritej si politikania më e fuqishme në Evropë, dita ditës është duke i rënë popullariteti i saj në Gjermani.

Pas 11 viteve të saj në pushtet, gjermanët janë të lodhur nga Angela Merkel. Janë disa sondazhe që tregojnë rënie të mbështetjes për koalicionin qeverisës në Gjermani, por anketimi më i fundit, i realizuar përpara zgjedhjeve federale të 2017-s, tregon se plot dy të tretat e votuesve në këtë vend i kundërvihen një mandati të katërt për kancelaren. Nga sondazhi, i kryer nga kompania “Insa” për revistën gjermane “Cicero”, rezulton se vetëm 36% e të intervistuarve e duan vazhdimësinë e qeverisjes së Merkelit dhe kristian-demokratëve të saj. Partia simotër bavareze, CSU, është duke zhvilluar një fushatë gati të pavarur për zgjedhjet e vitit që vjen. Kriza e refugjatëve dhe ngritja e rrufeshme e AfD-së kanë sjellë një krisje të thellë mes dy partive, çka në momente të caktuara në të kaluarën është evidentuar dhe hapur. Politika e dyerve të hapura për emigrantët ka peshën e vetë në të gjithë këtë histori. Lëvizja e Merkelit që solli për pasojë vërshimin e 1.1 milion emigrantëve në Gjermani vitin e kaluar, është kritikuar ashpër edhe nga vetë aleatët e saj. Rënie të popullaritetit në vetëm 20% po përjetojnë së fundmi edhe partnerët social demokratë të konservatorëve në koalicionin qeverisës, ndërsa partia kundër emigrantëve Alternativa për Gjermaninë po shijon ngjitjen e ndjeshme nga një forcë politike margjinale, në një parti që ka arritur të sigurojë brenda pak kohëve mbështetjen e 15% të votuesve. Duket se nëse situata vazhdon me këtë ritëm, atëherë kancelarja gjermane Angela Merkel duhet të përgatitet për ti thënë lamtumirë pushtetit në një te ardhme jo shumë të largët. Në të kundërtën, Partia social-demokrate që është e pranishme në qeverinë e koalicionit, shpreson që në të ardhmen të formojë qeverinë pa praninë e partisë demokrisitiane në Berlin. Megjithatë, rritja e partive ekstremiste në Gjermani tregon se social-demokratët kanë pak mundësi për të arritur këtë qëllim. Përkrahja e vazhdueshme e Merkel për pranimin e migrantëve ka ndikuar në rritjen e partive ekstremiste jo vetëm në Gjermani por edhe në mbarë Evropën. Në zgjedhjet e vitit 2014 për parlament evropianë, më shumë se 100 anëtar të partive të ekstremit të djathtë janë zgjedhur përfaqësues të këtij parlamenti.