Obama kritikon praninë ushtarake të Rusisë në rajonin e Baltikut
Presidenti amerikan Barak Obama ka denoncuar sot, përpara krerëve të pesë shteteve të Europës Veriore, praninë ushtarake agresive të Moskës në rajonin e Baltikut.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Obama i ka kërkuar Rusisë që të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare. “Ne jemi të bashkuar sa i takon shqetësimit tonë për praninë ushtarake agresive të Rusisë në rajonin Baltiko-Nordik”, ka deklaruar Obama. Obama ka theksuar se derisa ka gatishmëri për uljen e tensioneve, Uashingtoni po ashtu, do të jetë i përgatitur për ta kundërshtuar çfarëdo agresioni të perceptuar të Rusisë. Kjo deklaratë e presidentit amerikan erdhi pas një takimi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me liderët e Suedisë, Danimarkës, Finlandës, Islandës dhe Norvegjisë. Akuzat e Obamës ndaj Rusisë bëhen ne një kohë kur SHBA dhe NATO e kanë zgjeruar praninë e tyre ushtarake në afërsi të kufijve të Rusisë. “Ne do ta mbajmë dialogun që po vazhdon dhe do të synojmë bashkëpunim me Rusinë, por ne po ashtu, dëshirojmë të kemi siguri se jemi të përgatitur dhe të fuqishëm dhe dëshirojmë ta inkurajojmë Rusinë t’i mbajë aktivitetet e saj ushtarake në harmoni të plotë me obligimet ndërkombëtare”, tha Obama. Në deklaratën e përbashkët, të gjashtë vendet kanë shprehur shqetësim për aksionet e Rusisë në rajonin e Detit Baltik, përfshirë “sjelljen e pazakonshme atomike, ushtrimet e padeklaruara dhe aksionet provokuese të aeroplanëve dhe anijeve ruse”. Një mekanizëm raketash i vendosur nga SHBA në Rumani me qëllim mbrojtjen e Amerikës dhe Europës nga një sulm i të ashtuquajturve shtete të kuqe, është një hap drejt një tjetër lufte të ftohtë. Kështu ka deklaruar presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i cili po ashtu kërkoi ndryshimin e buxhetit për t’iu kundërpërgjigjur çdo kërcënimi. Në fjalën e tij përpara zyrtarëve kryesorë të mbrojtjes dhe forcave ushtarake kreu i shtetit rus u shpreh se kjo lëvizje e SHBA ka si qëllim të bllokojë arsenalin bërthamor të Rusisë. “ Nuk është një sistem mbrojtës. Kjo është një strategji e SHBA për të sjellë armët nukleare në periferi të Rusisë siç është në këtë rast Rumania. Ata që morën këtë vendim duhet të dinë se deri më tani kanë jetuar në paqe e siguri, por tashmë që ato raketa ndodhen aty ne jemi të detyruar të mendojmë se Federata ruse është nën kërcënim''-deklaroi Putin. Por ndërsa Putin bëri këto komente, SHBA nisi ndërtimin e një tjetër baze mbrojtëse raketash në Poloni, edhe kjo pjesë e sistemit mbrojtës të NATO-s, zyrtarisht ndaj kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme. Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej aneksimit të Gadishullit të Krimesë në Ukrainë në vitin 2014 nga Moska. Megjithëse sistemi mbrojtës i raketave ishte lajmëruar që para këtij zhvillimi, dislokimi i tij thjesht sa ka rritur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.