Doktrinat e reja ushtarake dhe të sigurisë së Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i14119-doktrinat_e_reja_ushtarake_dhe_të_sigurisë_së_rusisë
Rusia ka hyrë në vitin 2016 me një listë të re prioritetesh strategjike, kërcënimesh dhe armiqsh, që bëjnë të parashikohet një tjetër vit plot ngjarje. Në fund të dhjetorit 2015, Vladimir Putin firmosi “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 14, 2016 19:10 Europe/Tirane
  • Doktrinat e reja ushtarake dhe të sigurisë së Rusisë

Rusia ka hyrë në vitin 2016 me një listë të re prioritetesh strategjike, kërcënimesh dhe armiqsh, që bëjnë të parashikohet një tjetër vit plot ngjarje. Në fund të dhjetorit 2015, Vladimir Putin firmosi “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”.

Rusia, siç thuhet në dokument, “ka rritur rolin e saj në zgjidhjen e problemeve kryesore ndërkombëtare dhe konflikteve ushtarake”. Dhe pikërisht “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre” shpallen si kundërshtarët kryesorë, që synojnë “të ruajnë rolin e tyre dominues në çështjet ndërkombëtare, si dhe t’i kundërvihen politikës autonome të Rusisë”.

Spikeri

Rreziqet kryesore, sipas “Strategjisë” vijnë nga Uashingtoni, dhe konsistojnë kryesisht në zgjerimin e NATO-s (që në vitin 2015 i ka hapur dyert Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Gjeorgjisë) dhe në nxitjen e “revolucioneve me ngjyra”, sipas modelit të revolucionit “portokalli” në Kiev. SHBA dhe Europa akuzohen se kanë mbështetur “grushtin e shtetit antikushtetues” në Ukrainë. Dokumenti i ‘Strategjisë” ndjek gradualizimin e kërcënimeve të doktrinës ushtarake ruse, të një viti më parë dhe ripërmbledh një 2015 me diplomaci dhe deklarata të bëra nga vetë presidentin Putin, në një vizion strategjik të botës, si një teatër përplasjesh mes fuqive, që duhet të menaxhohet edhe përmes instrumentave si “pengimi bërthamor”. Presidenti rus ka uruar “ushtarakët që luftojnë terrorizmin ndërkombëtar” në Siri, por programi i tij strategjik pohon që “rritja dhe konsolidimi i ISIS-it janë pasojë e standardeve të dyfishta që praktikojnë disa vende”. Putini e ka quajtur ISIS-in një “fenomen dytësor”, duke i quajtur ushtarët e tij si “mish për top”, të manipuluar për qëllime shumë më tokësore, si trafiku i naftës. Doktrina e re kërkon bashkëpunimin e ngushtë me Kinën në rajonin e Paqësorit dhe me Indinë në Oqeanin Indian. Presidenti Vladimir Putin, tha se theksi kryesor vihet në dy drejtime – në Arktik dhe Atlantik. Theksi mbi Atlantikun është i lidhur me faktin se kohët e fundit ka pasur një zhvillim mjaft aktiv të NATO-s dhe kjo aleancë po i afrohet shumë kufijve rusë. Ai shtoi se sigurisht që Federata Ruse do t’i përgjigjet kësaj.

Spikeri

NATO është rreziku më i madh për Rusinë. Këtë e thotë edhe doktrina e re ushtarake e miratuar nga Vladimir Putini, 29 faqe udhërrëfyese të strategjisë mbrojtëse të Federatës Ruse. Dokumenti, që ndryshon dhe integron doktrinën paraardhëse, përmban ato që Putini i quan rreziqet e reja të sigurisë kombëtare. Në sytë e Kremlinit, është pikërisht NATO rreziku më i madh. Aq më shumë pasi Ukraina ka hedhur hapin e parë drejt një anëtarësimi eventual në NATO. Kremlini mendon se Aleanca, e cila ka miratuar teorinë e diplomacisë së forcës kundrejt Moskës për të zgjidhur krizën e Ukrainës, është duke e shfaqur pak si shumë potencialin e saj ushtarak në vendet baltike, në Poloni, Bullgari dhe Rumani. Forcimi i potencialit ushtarak të NATO-s në Europën Lindor dhe rritja e shpeshtësisë së manovrave të saj ushtarake në atë zonë shihen nga Moska si një përpjekje e udhëhequr nga SHBA për të izoluar dhe dobësuar Rusinë. Në këtë mes është futur edhe sistemi amerikan i mbrojtjes që ka si objektiv të kryejë sulme ushtarakë konvencionalë kudo në botë, brenda 60 minutash. Mburoja anti-raketë evropiane, që konsiderohet nga Putini një rrezik për ekuilibrat strategjikë të kontinentit gjithashtu është në doktrinën e mbrojtjes së Rusisë. Më tej, dokumenti flet për mundësinë e përdorimit të armëve konvencionale të precizonit të lartë si mjet frenues për sulme të mundshëm nga jashtë. Kjo dëshmon se erërat e luftës së ftohtë, jo vetëm po rikthehen, por po sjellin edhe skenarët e kërcënimeve bërthamore. Ky ishte mesazhi që i dha botës Rusia se në doktrinën e re ushtarake parashikon dhe parimin e përdorimit të goditjes së parë bërthamore. Me përfshirjen e parimit të goditjes së parë bërthamore në doktrinën e re ushtarake, kemi një shkallëzim të karakterit ofensiv të strategjisë dhe të politikës globale të Rusisë. Parimin e të drejtës së përdorimit të goditjes së parë bërthamore e kanë pasur edhe doktrinat e mëparshme ruse, të vitit 1993 dhe të vitit 2000, por ato kanë qenë të përcaktuara vetëm në rastet e një sulmi bërthamor. Kurse tani, zgjerimi i gamës së kushteve dhe rrethanave, kur mund të japë Rusia goditjen e parë bërthamore, paralajmëron për një amplitude pothuaj të pakufizuar të kërcënimeve, që mund t'i vinë interesave të paqes dhe sovranitetit të shumë shteteve e kombeve në rajone të ndryshme të botës, nga doktrina ushtarake ruse.

Spikeri

Gjithashtu, Rusia ka njoftuar se do të përforcojë aftësitë luftarake gjatë këtij viti në Krime, në Arktik dhe në rajonin më perëndimor të Federatës Ruse, Kaliningrad, i cili kufizohet me dy shtete aleate të NATO-s. Kjo pritet të thellojë shqetësimet në Perëndim mbi atë që vendet e NATO-s e konsiderojnë si një shfaqje gjithnjë e në rritje të “muskujve” nga ana e Rusisë, që prej nisjes së krizës në Ukrainë. Çdo prani ushtarake pranë kufijve të NATO-s në Kaliningrad, një enklavë që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, sigurisht që e shqetëson së tepërmi aleancën ushtarake perëndimore, ndërkohë që pasuritë minerare dhe rezervat e mëdha të energjisë në Arktik sigurojnë pretendime ndaj këtij territori prej shumë vendesh. Rusia ka dërguar 14 avionë ushtarakë në Krime gjatë nëntorit të kaluar, si pjesë e një skuadroni prej 30 të tillë që do të stacionohen atje, duke bërë të qarta synimet e saj për të forcuar prezencën në gadishullin e aneksuar prej Ukrainës, marsin e vitit 2014. Nga ana e saj, NATO ka forcuar prezencën ushtarake në Europën Lindore, pasi ka thënë se ka prova të konsiderueshme se Rusia ka orkestruar dhe ka armatosur rebelimin në lindje të Ukrainës, pas rrëzimit të presidentit ukrainas të mbështetur prej Kremlinit. Putin u shpreh atëherë se Rusia nuk përbën rrezik ndaj askujt, si dhe mohon të ketë dërguar trupa apo armë në mbështetje të separatistëve. Tashmë tensionet mes Rusisë dhe NATO-s jo vetëm që nuk janë ulur, por janë shtuar edhe më shumë. Nga pikëpamja e rusëve, veprimet e NATO-s në Evropën Lindore drejtohen saktësisht kundër Rusisë. Rusia ka arritur në konkluzionin se dislokimi i trupave dhe armatimeve të NATO-s dhe të SHBA në vende si Polonia, Rumania, në Baltik, në Detin e Zi dhe në Turqi synon të rrethojë dhe izolojë Rusinë dhe të mos lejojë që Rusia të bëhet një fuqi e rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2014, Parlamenti i Ukrainës miratoi heqjen e statusit neutral të këtij vendi. Kjo dëshmoi qartë se Ukraina aspiron të anëtarësohet në NATO dhe ky veprim do të ishte një tmerr për Rusinë.

Spikeri

Një krahasim mes doktrinës së re ushtarake të Rusisë që u miratua në vitin 2014 dhe doktrinës së re të sigurisë kombëtare të Rusisë që u miratua në fund të vitit 2015, dëshmon se dokumenti i ri qartëson veprimet e Rusisë në përballje me Perëndimin. Doktrina ushtarake e vitit 2014, qartëson vetëm detajet e zonave të sigurisë dhe masat ushtarake e të industrisë ushtarake ruse për të rritur potencialin ushtarak të Rusisë përballë Perëndimit. Ndërsa dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare të Rusisë parashtron veprimet që do të ndërmarrë Rusia në sferat ushtarake, ekonomike dhe të politikës së jashtme për tu përballur me sfidat e ndryshme. Dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare të Rusisë përbën një proces gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, prandaj mund të thuhet se ky dokument është më i gjerë dhe më i rëndësishëm se doktrina ushtarake e Rusisë, megjithëse të dy dokumentet kanë shumë pika të përbashkëta. Pika kryesore dhe e përbashkët e doktrinës së re ushtarake të Rusisë dhe e dokumentit të strategjisë së sigurisë kombëtare të Rusisë është çështja e përballjes me kërcënimet që drejtohet kundër Rusisë. Në fakt, dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare të Rusisë është një tërësi programesh bazë që duhet të realizohen brenda një afati të caktuar dhe me qëllime të caktuara. Dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare të Rusisë përcakton interesat kombëtare, prioritetet strategjike kombëtare në sferën e brendshme e të jashtme, objektivat dhe standardet e forcimit të potencialit kombëtar si dhe të zhvillimit afatgjatë të Federatës Ruse.