Xhaka arrin marrëveshje me Arsenalin/ Mustafi i ka thënë ‘po’ Barcelonës
Arsenali pritet të kompletojë transferimin e Granit Xhakës para nisjes së Kampionatit Evropian 2016.
Faqja prestigjioze “Goal.com” raporton në burime të veta se lojtari tashmë ka arritur marrëveshje me klubin e njohur anglez. Xhaka ka qenë në cak të Arsene Wengerit që disa muaj, por së fundmi për të kanë shprehur interesim edhe shumë skuadra të njohura evropiane. Sipas “Goal”, reprezentuesi i Zvicrës ka preferuar kalimin në Londër dhe gjithçka tani ka përfunduar, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti. Arsenali pritet të paguajë rreth 45 milionë euro për shërbimet e mesfushorit kosovar. Nga ana tjetër, Shkodran Mustafi pritet që të shkëmbehet kokë më kokë me Marc Bartran. Gazeta spanjolle “Sport” ka bërë të ditur që Barcelona dhe Valencia e kanë gati shkëmbimin e madh. Nëse marrëveshja arrihet, mbrojtësi shqiptar do të kalojë në “Camp Nou” gjatë verës, për t’ia lënë vendin në “Mestalla” mbrojtësit spanjoll Bartra. Ky i fundit dëshiron që të largohet nga Barcelona për shkak të minutazhit të vogël, ndërsa Mustafi i ka thënë “po” operacionit, pasi që fanella e klubit katalunas është ëndrra e tij. Barcelona do të jetë e detyruar që të paguajë një shumë të madhe për mbrojtësin.