Konferencë shtypi e presidentëve të Iranit dhe Kroacisë
Presidentët e Iranit dhe Kroacisë deklaruan vullnetin e dy vendeve për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe bashkëpunimin në nivel rajonal e ndërkombëtar e në veçanti në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Dr. Hasan Ruhani, president i RII në një konferencë të përbashkët për shtyp të zhvilluar sot me presidenten e Kroacisë znj. Kolinda Grabar Kitarovic e cilësoi Kroacinë si një vend mik të Iranit në rajonin e Ballkanit dhe shtoi se Irani ishte një nga vendet e para që njohu zyrtarisht pavarësinë e Kroacisë dhe që atëherë të dyja vendet kanë pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira. Z. Ruhani tha se Kroacia për shkak të të përbashkëtave të shumta historike dhe kulturore me Iranin dhe të pozitës së rëndësishme gjeografike, mund të jetë një urë lidhëse mes Iranit dhe BE. Në vazhdim, presidenti iranian tha se prania e delegacionit të nivelit të lartë kroat në Teheran dëshmon vullnetin politik të qeverisë kroate për zgjerimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Iranin. Nga ana e saj, znj. Kitarovic, presidente e Kroacisë, në këtë konferencë shtypi vizitën e saj në Teheran e cilësoi si një fazë të rëndësishme për zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shtoi se Kroacia mund të jetë një rrugë mjaft e mirë për transferimin e energjisë së Iranit drejt BE. Presidentja kroate tha se RII luan një rol kyç në rajonin e LM, ndërsa Kroacia si anëtare e BE i përkrah përpjekjet e Iranit për reduktimin e tensioneve në rajon. Ajo shtoi se Kroacia do të vazhdojë bashkëpunimin me Iranin për zhdukjen e terrorizmit sidomos në Afganistan, Siri dhe Irak dhe do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit mes RII dhe BE.