Mali i Zi afrohet më shumë me NATO-n, Rusia irritohet
NATO ftoi zyrtarisht shtetin ballkanas të Malit të Zi, të bëhet anëtari i 29-të i aleancës, duke nënshkruar këtë të enjte zgjerimin e shtatë në historinë e saj, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Rusisë.
Vendimi është ende subjekt i miratimit formal nga Senati amerikan dhe parlamentet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “ky ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri të sigurisë” në historinë e ish-republikës jugosllave. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ishte pjesëmarrës edhe në nënshkrimin e protokollit të pranimit të vendit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai tha se vendi i tij, i bombarduar nga avionët luftarakë të aleancës 16 vite më parë, duhet të qëndrojë “krah më krah” me vendet e tjera anëtare të aleancës së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. Gjukanoviq tha se Mali i Zi shpreson të bëhet anëtar i rregullt i NATO-s deri në mes të vitit të ardhshëm. Mali i Zi do të marrë pjesë në takimet e NATO-s në cilësinë e vëzhguesit, derisa të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë protokollin e pranimit. Ceremonia e nënshkrimit në selinë e NATO-s, për ftesën për anëtarësim të Malit të Zi, koincidoi me fillimin e një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës, ndërkohë që edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e nënshkroi dokumentin në emër të Shteteve të Bashkuara. Që prej krijimit të NATO-s në vitin 1949, si një mburojë e Luftës së Ftohtë të Perëndimit kundrejt Bashkimit Sovjetik, tashmë është zgjeruar nga 12 vende themeluese deri në anëtarin e 29, duke thithur në vetvete edhe shumicën e ish-aleatëve të Kremlinit në ish-bllokun lindor komunist. Të fundit që janë anëtarësuar në NATO kanë qenë Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2009. Rusia ka shprehur irritimin e saj ndaj anëtarësimit të Malit të Zi, për shkak të shqetësimeve për lëvizjen e shtuar të NATO-s kah kufiri i Rusisë, duke e vlerësuar këtë si kërcënim. Rusia e ka akuzuar aleancën atlantiko-veriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj. Sergei Zheleznyak, një deputet i shquar i Parlamentit rus, tha se vendit të tij do t’i duhet të alternojë marrëdhëniet me Malin e Zi, historikisht aleat i Rusisë, tashmë që vendi ballkanas do t’i bashkohet NATO-s pa zhvilluar më herët një referendum kombëtar. “Nëse infrastruktura ushtarake e NATO-s do të vendoset atje, ne do të duhet të përgjigjemi duke kufizuar kontaktet tona në fushat ekonomike por edhe të tjera”-tha Zheleznyak. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë se Moska duhet të ndalojë disa importe nga Mali i Zi dhe të vendosë sanksione të tjera tregtare. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të ishte një tjetër goditje e rëndë për interesat e Rusisë në rajonin e Ballkanit, ku duket se tashmë vetëm Serbia ka mbetur aleate e Moskës.