UEFA shmang përballjet e Kosovës me Serbinë
UEFA edhe zyrtarisht ka konfirmuar se dy skuadra kosovare do të marrin pjesë edicionin e ardhshëm në garat ndërkombëtare.
Skuadra kampione do të jetë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ndërkohë që fituesi i Kupës në atë për Ligën e Evropës. UEFA ka krijuar një ekip që vlerëson se cilat shtete mund të mos dëshirojnë të luajnë me Kosovën dhe ka theksuar se një nga to është padyshim Serbia. “Ne gjithmonë duhet të marrim masa për të parandaluar përplasje të mundshme”, ka thënë udhëheqësi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm Theodore Theodoridis. “Një nga to është Serbia, por kemi çështje tjera ku mund të ketë probleme”. UEFA më parë kishte ka marrë masa të ngjashme edhe për Spanjën dhe Gjibraltarin, Rusinë dhe Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë, skuadrat e të cilëve nuk u përballën mes tyre. Ndërkohë, UEFA gjithashtu ka bërë të ditur se vendimi se në cilin grup do të jetë Kosova do të merret brenda 10 ditësh. Gjithashtu mësohet se Federata e Futbollit e Rusisë, do të bëjë kërkesë në UEFA, për të mos u takuar me Përfaqësuesen e Kosovës, ose klubet ruse me klubet kosovare, në garat evropiane. Kështu ka deklaruar sot presidenti i kësaj federate, Vitaly Mutko, që është edhe ministër i Sportit të Rusisë. “Rusia përfundimisht do të bëjë një kërkesë të tillë”, tha Mutko për agjencinë e lajmeve ruse “tass.ru”. Kosova dhe Rusia do të mund të takoheshin vetëm në shortin e ardhshëm të Kampionatit Evropian. Pikërisht Mutko kishte thënë pas pranimit të Kosovës në UEFA, se vendimi ishte demokratik.