Mundësia e fitores së ekstremit të djathtë në Austri
Qytetarët austriakë u janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ri në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse fiton Norbert Hofer, siç është parashikuar, ai do të ishte presidenti i parë i ekstremit të djathtë që fiton në Bashkimin Europian.
Hofer i përket Partisë së Lirisë dhe përballet në balotazh me të pavarurin Alexander Van der Bellen, i cili ka mbështetjen e “Të gjelbërve”. Hofer u rendit i pari në raudin e parë, por nuk mundi që të merrte shumicën për t’u shpallur president. Hofer arriti në raundin e parë të marrë 35% të votave, shumë më tepër se parashikimet e sondazheve, që i jepnin kandidatit vetëm 30%.Kundërshtari i tij, Van der Bellen, politikan i Të Gjelbërve, por që në garë hyri si i pavarur, mori 21% të votave. Por më shumë ra në sy rrëzimi spektakolar i partive të koalicioneve të zgjatura me bazë të gjerë, socialdemokratët, SPÖ dhe konservatorët, ÖVP. Të dyja partitë që kanë rënë në sondazhe në rreth 20% janë shumë të dobëta për të arritur shumicën në koalicion. FPÖ me 30% deri në 32% është fuqia e re në vend. Dikur e parë si tabu, vendi është mësuar tanimë me partinë me tone djathtiste. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, dy partitë kryesore të qendrës dolën nga gara në raundin e parë, ndërsa zgjedhjet dhe fushata që i parapriu ishin të dominuara nga kriza e emigrantëve. Vitin e shkuar, 90 mijë njerëz kërkuan azil në Austri, numër i barazvlefshëm me 1% të popullsisë, ndaj dhe Partia e Lirisë zhvilloi një fushatë antiemigracion. Megjithëse Presidenca është një post kryesisht ceremonial, kreu i shtetit austriak ka fuqinë që të shpërndajë qeverinë. Në mitingun e fundit para zgjedhjeve, Hofer tha se emigrantët duhet të integrohen që të qëndrojnë në Austri, ndërsa për të tjerët që nuk duan ta bëjnë këtë, nuk ka vend. Pasi kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe ai i Parlamentit Europian, Martin Schulz, shprehën shqetësimin se Hofer mund të bëhej president, kandidati i së djathtës ekstreme tha se Austria nuk merr urdhra as nga Brukseli dhe as nga Berlini. Sipas analistëve, mbështetja për Partinë e Lirisë u rrit ndjeshëm së fundmi, pasi votuesin ishin të zhgënjyer nga partitë kryesore dhe kriza e emigrantëve thjesht e shtoi zhgënjimin e tyre. Nëse Norbert Hofer zgjidhet president i Austrisë shtrohet pyetja si do të veprohet më tej. Kushtetuta i garanton presidentit shumë kompetenca, të cilat gati nuk janë përdorur deri më tani. Më së voni në vjeshtën e vitit 2018 do të zgjidhet parlamenti i ri, Këshilli Kombëtar dhe kancelari. Por prej javësh diskutohet skenari i zgjedhjeve të parakohshme. Nëse FPÖ nuk pret deri në afatin e përcaktuar të zgjedhjeve, atëherë mbetet në kompetencën e presidentit Hofer të shkarkojë qeverinë. Një shkas për këtë mund të gjendet lehtë në kohë të vështira ekonomike: Një kancelar, i emëruar nga presidenti, do t'i drejtonte lutjen kreut të shtetit për shpërbërjen e parlamentit. Në zgjedhjet që pasojnë, FPÖ do të dilte fitimtare tek 2 milionë votuesit, kështu e përfytyrojnë populistët skenarin. Deri më tani Hofer ka lënë të kuptohet se do të ndërhyjë në mënyrë aktive në politikë. Në këtë pikë ai është edhe konkret: Ai do ta shkarkonte qeverinë, në rast të një hapjeje të kufijve për refugjatët. Sidoqoftë, me këtë Austria ndjek vetëm trendin e forcimit të partive të ekstremit të djathtë dhe të partive populiste që vihet re në shumë vende anëtare të BE.