Marrëveshja e ministrave të eurozonës mbi borxhet e Greqisë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i15349-marrëveshja_e_ministrave_të_eurozonës_mbi_borxhet_e_greqisë
Pas një raundi maratonë bisedimesh, ministrat e Financave të Eurozonës arritën marrëveshjen që zhbllokon fondet e dorëzanisë për Greqinë e zhytur në vështirësi.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 25, 2016 16:48 Europe/Tirane
  • Marrëveshja e ministrave të eurozonës mbi borxhet e Greqisë

Pas një raundi maratonë bisedimesh, ministrat e Financave të Eurozonës arritën marrëveshjen që zhbllokon fondet e dorëzanisë për Greqinë e zhytur në vështirësi.

Negociatat ishin të vështira, sipas diplomatëve në sallë, e përplasjet nuk munguan. Paketa e re 10.3 miliardë euroshe është pjesë e parave të ndara për Greqinë me qëllimin të shmangte falimentimin. Bisedimet, që zgjatën 11 orë e vazhduan deri natën vonë, prekën dhe çështjen e lehtësimit të borxhit. Masat për këtë qëllim, siç sqaroi shefi i “Eurogroup”-it, Jeroen Dijsselbloem, do të ndërmerren shumë gradualisht. Në mbrojtje të lehtësimit kishte dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar, me argumentin se pa zbutjen e kushteve të huasë, përpjekjet e institucioneve për rimëkëmbjen e ekonomisë nuk do të jepnin rezultat. Por disa vende të Eurozonës, përfshirë Gjermaninë, i bënë rezistencë këtij propozimi, marrëveshja mbi të cilin do ta mbajë FMN-në në programin e dorëzanisë greke. Athina dhe kreditorët e saj diskutojnë prej muajsh reformat dhe shkurtimet buxhetore, me qëllim vulosjen e një ujdie mbi paketën e radhës, që do të lëvrohej për Greqinë në kuadër të dorëzanisë 86 miliardë euroshe. Në muajin korrik, shteti helen duhet t’i shlyejë 3.5 miliardë euro hua Bankes Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që nga ana tjetër i nevojiten parà për shpenzimet e përditshme qeveritare dhe pagat e sektorit publik. Nga ana tjetër, Parlamenti grek ka miratuar me shumicë votash, 153 nga 298 të pranishmit në sallë, projektligjin e paketës së madhe të masave dhe reformave, kusht për marrjen e ndihmës financiare prej 86 miliardë euro nga kreditorët. Por koalicioni qeveritar ka regjistruar një votë më pak në votimin nen për nen, pasi një deputete e Syrizës ka votuar kundër ligjit për krijimin e një mekanizmi i cili do të shkurtojë automatikisht pagat dhe pensionet si dhe kundër krijimit të fondit të privatizimit dhe shfrytëzimit të pasurisë shtetërore. "Zgjedhjet e ardhshme do të bëhen në vitin 2019", ka deklaruar kryeministri Tsipras, duke iu përgjigjur kritikave të kreut të opozitës konservatore. Me këtë rezultat votimi, Athina shkon në Eurogrupin e ditës së martë me shpresën që kreditorët të zhbllokojnë fillimisht një këst nga 5.5 deri në 10,5 miliardë euro për Greqinë, e cila duhet që brenda dy muajsh të paguajë disa detyrime financiare ndaj FMN-së dhe BQE-së. Në korrik të vitit 2015, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka pranuar kushtet për paketën e tretë të ndihmës nga Evropa, në vlerë prej gati 100 miliardë dollarësh. Në atë kohë, ai i ka thënë publikut grek se marrëveshja me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është mënyra e vetme për të parandaluar kolapsin total të ekonomisë greke dhe daljen e Greqisë nga Eurozona. Derisa Parlamenti ka miratuar masat e reja të dielën, mijëra njerëz kanë protestuar në qendër të Athinës kundër legjislacionit. Sipas policisë greke në qytetin e Athinës, rreth 20 mijë persona kanë marrë pjese në këto proetsta të cilët kanë kundërshtuar vazhdimin e politikave të kuresimit ekonomik. Gjithashtu, qeveria greke shpreson të marrë një përgjigje pozitive edhe përsa i përket procedurave për një formë të lehtësimit të borxhit kolosal të vendit, duke përfituar një periudhë kohore për maturimin e obligacioneve nga viti 2018, në qoftë se arrin deri atëherë teprica primare. Optimizmi i Athinës qëndron edhe në faktin se sipas së përditshmes “Sueddeutsche Zeitung”, kancelarja gjermane Angela Merkel duket se ka urdhëruar ministrin e saj të Financave, Wolfgang Shcauble, të mbylle sa më shpejt, para samitit të G7-s në Japoni , marrëveshjen me Greqinë.