Vizita e Putin në Greqi
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i15712-vizita_e_putin_në_greqi
Vizita zyrtare e Presidentit rus, Vladimir Putin pas 9 vitesh në Greqi, ka rikonfirmuar nivelin e lartë të marrëdhënieve greko-ruse.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 28, 2016 16:23 Europe/Tirane
  • Vizita e Putin në Greqi

Vizita zyrtare e Presidentit rus, Vladimir Putin pas 9 vitesh në Greqi, ka rikonfirmuar nivelin e lartë të marrëdhënieve greko-ruse.

Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Athinë pas dhjetë vitesh dhe marrëveshjet e shumta që pritet të nënshkruajë me homologun e tij grek Pavlopoulos dhe kryeministrin Tsipras, i cili vizitoi vjet dy herë Kremlinin, tregojnë edhe një herë se dy vendet me lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare kanë lënë pas një periudhë ftohjeje, duke parë se më shumë se kurrë në këto momente kanë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike. Kryeministri grek Aleksis Tsipras vuri në dukje se forcimi i marrëdhënieve me Rusinë përbëjnë një zgjedhje strategjie, e cila është e ndikuar edhe nga lidhjet e ngushta historike, kulturore dhe politike. Po ashtu kryeministri grek tha se ndihma e Moskës është e nevojshme përsa i përket forcimit të stabilitetit në rajon. Për Aleksis Tsipras vizita e Putin vjen në një kohë kur Greqia ka kthyer faqen e historisë, pasi po i jep fund pasigurisë ekonomike. “E gjithë kjo mund të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona në një mjedis që ka stabilitet dhe perspektivë”, tha Tsipras. “Ndërsa nga ana e tij Putin tha sa se në Moskë është diskutuar në mënyrë analitike perspektiva e Bashkëpunimit ekonomik, sigurisht ka shumë probleme dhe se rrethanat janë të vështira, por që sigurisht ka perspektiva të mira,” e mbylli fjalën Vladimir Putin. Tani sfida që i mbetet Athinës dhe Moskës, përveç zotimeve është që t’i kthejnë marrëdhëniet e mira të popujve në rezultate të prekshme ekonomike. Gjatë vizitës në Greqi, Putin u shoqërua nga një grup ministrash e biznesmenësh, midis tyre krerët e GAZPROM-it dhe ROSNEFT-it, me synim marrëveshje me kompanitë vendase të naftës dhe gazit natyror. Midis tyre veçohet gazsjellësi South Stream 2, një projekt i anuluar më parë dhe i kundërshtuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, por që merr jetë në kushtet e sotme, kur Moska kërkon të shmangë Ukrainën dhe Turqinë, si rrugë të gazit të saj natyror drejt Europës, pasi janë dy vende me të cilat ndodhet në konflikte të ashpra politike. Greqia nga ana e saj ka interes sepse kalimi i një gazsjellësi të dytë në territorin e saj, pas atij Trans-Adriatik, i krijon mundësi për të përfituar çmime më konkurruese dhe rrit njëkohësisht rolin e saj strategjik në hartën energjitike në Ballkan dhe Europë. Gjithashtu, pala ruse sjell dy propozime për blerjen e një pjese të portit të Selanikut, që do t’i japë mundësinë për të pasur një pikë strategjike në Mesdhe si dhe për blerjen 100% të kompanisë së trenave TRAINOSE dhe asaj të hekurudhave. Ndërsa Greqia, përveç synimit që ka për të tërhequr miliona turistë rusë, shpreson që nëpërmjet rrugëve të tërthorta ballkanike, me qendër kryesore Serbinë, të promovojë eksportet e saj drejt Rusisë, pasi fermerët grekë janë dëmtuar jashtë mase nga embargo që BE-ja i ka vendosur Moskës për çështjen e Ukrainës. Në aspektin politik, siç është shprehur edhe presidenti Putin, Rusia sheh tek Greqia urën lidhëse me BE-në dhe NATO-n, pasi Moska kërkon fillimin e një dialogu me Brukselin për një sërë çështjesh, që nga thjeshtëzimi i procedurave për vizat e qytetarëve të saj, deri në krijimin e një aleance energjitike. Putin e shfrytëzoi vizitën e tij në Greqi për të paralajmëruar se nuk ka zgjedhje tjetër veçse të kundërpërgjigjet ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë. Presidenti rus, gjatë një udhëtimit në Athinë tha se do t’i duhet t’i kundërpërgjigjet dislokimit amerikan të sistemit anti-raketë në Poloni dhe Rumani. “Nëse deri dje në këto zona të Polonisë njerëzit nuk e dinin çfarë do të thotë të jetosh në shënjestër të pushkës, sot jemi përballë faktit që na detyron të marrim masa për të garantuar sigurinë tonë,” tha zoti Putin, pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras. Putin, i cili ka shprehur revoltim ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat duke e cilësuar kërcënim për sigurinë ruse, nuk dha hollësi lidhur me metodat konkrete që mund të përdorë Rusia si kundërpërgjigje. Ai tha vetëm se Rusia në këtë rast nuk po ndërmerr hapin e parë, por thjesht po i përgjigjet veprimit amerikan.