Takimi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë
257 përfaqësues të Parlamenteve të 28 shteteve anëtare të NATO-s u mblodhën të premten më 27 Maj në Tiranë në kuadër të takimit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Asambleja Parlamentare e NATO-s u krijua në vitin 1955 dhe ky institucion ka karakter konsultativ në lidhje me çështjet dhe problemet më të rëndësishme të NATO-s. Rusia dhe kërcënimi i saj ndaj vendeve anëtare të Aleancës, ka qenë kryefjala e ditës së parë të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që mbahet në Tiranë. Në çeljen e punimeve të kësaj Asambleje, Presidenti i saj, Michael Turner, e ka renditur këtë çështje, ne prioritetet kryesore te Aleancës. “NATO sot përballet me një mjedis të ri ku Rusia e sheh aleancën si kundërshtare dhe do shikojnë si do e trajtojmë këtë kërcënim, apo edhe kërcënimet bërthamore të saj”, u shpreh Turner. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, në një konferencë për shtyp tha se aleanca duhet të tregojë vendosmëri përballë fuqisë ushtarake në rritje të Rusisë. “Në Samitin e Aleancës në korrik, NATO duhet të tregojë vendosmëri përballë sigurisë ushtarake në rritje të Rusisë dhe një gatishmëri më të madhe për të ndarë barrën e mbrojtjes kolektive. Por kjo nuk përjashton dhe as nuk ul peshën për dialog me Rusinë. Megjithatë duhet të theksojmë se është Rusia e sheh NATO-n si kërcënim dhe jo anasjelltas. Ne duhet të njohim deklaratat e Rusisë për përdorim të armëve bërthamore”, tha Turner. Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, cilësoi si provokim vendosjen e sistemit te raketave ne Rumani dhe paralajmëroi se edhe Moska i ka drejtuar raketat e saj drejt Rumanisë dhe Polonisë. Përsa i përket procesit të zgjerimit të NATO-s, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner tha: “Zgjerimi i NATO-s është pjesë përbërëse e Aleancës. Ne do bëjmë të pamundurën për zgjerimin. Mirëpresim anëtarësimin e Malit të Zi, por edhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë do të rrite sigurinë në rajon. Ne kemi kërkuar katërfishimin e fondeve për praninë e NATO-s në Europë”. Në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë parlametare të NATO-s, në Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi domosdoshmërinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, për t’iu shpëtuar influencave ruse dhe frymës së radikalizimit. Ajo së pari iu referua aneksimit të Krimesë nga ana e Moskës dhe aktivitetet shtrënguese në Ukrainë, e më tej me retorikën ndaj NATO-s dhe deri te kërcënimet bërthamore. Mbi sfidat me të cilat përballet sot NATO, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë veçoi migrimin dhe terrorizmin, për të cilat tha se kërkojnë një qasje të plotë dhe të fortë për frenimin dhe mbrojtjen ndaj tyre. Kodheli në fjalën e saj vuri theksin tek ISIS dhe vala masive e refugjatëve si një kombinim kërcënimesh që kërkojnë një qasje të plotë dhe të fortë. Kërkojnë një zgjidhje ndërshtetërore, në nivel NATO dhe BE-shtoi Kodheli . Kreu i delegacionit shqiptar në Asamble, Pandeli Majko, tha se aleanca nuk kërkon të bëjë armiq dhe shprehu qëndrimin e Shqipërisë për politikat e zgjerimit të NATO-s, duke mirëpritur anëtarësimin e Malit të Zi. Ai garantoi votë pa kushte për fqinjët. Kohët e fundit, NATO po shpreh shqetësime mbi kërcënimet e Rusisë si dhe mbi rrezikun që kanoset nga terrorizmi, por faktet dëshmojnë se veprimet e NATO-s janë bërë shkak për këto kërcënime. Vendet e NATO-s flasin shumë për luftën kundër terrorizmit, por në praktikë nuk dëshmojnë vullnet serioz për të luftuar grupet terroriste. Amerika dhe vendet europiane janë furnizuesit kryesorë me armatime të Arabisë Saudite që njihet si përkrahësi kryesor financiar dhe ushtarak i ISIS dhe grupeve të tjera terroriste. Turqia si një nga anëtarët e rëndësishëm të NATO-s është përkrahësja kryesore e grupeve terroriste dhe i ka hapur kufijtë për terroristët që dërgohen në Siri dhe Irak. Në këto kushte, Amerika dhe vendet e tjera të NATO-s po e shfrytëzojnë terrorizmin për realizimin e interesave të tyre në rajonet e LM dhe të Afrikës Veriore. Gjithashtu, SHBA këmbënguli për dislokimin e sistemeve raketore në Rumani dhe Poloni duke injoruar plotësisht paralajmërimet dhe interesat e Rusisë, e cila ndjehet e kërcënuar nga shtimi i pranisë së NATO-s në lindje të Europës. Kjo politikë agresive është shoqëruar me politikën e sanksioneve të ashpra të perëndimorëve ndaj Rusisë. E nëse Rusia deklaron se do të kundërpërgjigjet ndaj këtyre masave armiqësore, ky është një reagim i natyrshëm i Moskës ndaj përpjekjeve të NATO-s për të kufizuar potencialin e armëve strategjike të Rusisë.