Thyhen pozicionet e ISIS në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i16414-thyhen_pozicionet_e_isis_në_kufirin_mes_sirisë_dhe_turqisë
Forcat kurde siriane 24 orë pas fillimit të operacionit për çlirimin e qytetit Manbexh në veri të Sirisë, deklaruan se kanë thyer vijat mbrojtëse të ISIS në këtë rajon dhe ky qytet do të çlirohet brenda disa ditëve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 02, 2016 16:56 Europe/Tirane
  • Thyhen pozicionet e ISIS në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë

Forcat kurde siriane 24 orë pas fillimit të operacionit për çlirimin e qytetit Manbexh në veri të Sirisë, deklaruan se kanë thyer vijat mbrojtëse të ISIS në këtë rajon dhe ky qytet do të çlirohet brenda disa ditëve.

Qyteti Manbexh është një nga bazat më të rëndësishme të ISIS dhe e vetmja rrugë lidhëse mes terroristëve në Raka dhe forcave të ISIS në veri të Alepos. Me çlirimin e qytetit Manbexh, praktikisht bllokohen rrugët e furnizimit të mijëra terroristëve të ISIS dhe një numër i madh i tyre do të rrethohen. Paramilitarët e '' Forcave demokratike siriane'' që nga mëngjesi i ditës së mërkurë, nisën një operacion të gjerë për çlirimin e qytetit Manbexh dhe të rajoneve të tjera të pushtuara nga ISIS përgjatë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë. Ndërkohë, Pentagoni njoftoi se forcat ajrore amerikane kanë kryer mbi 18 sulme kundër pozicioneve të ISIS në qytetin Manbexh. Sulmet e forcave kurdë në rajonet kufitare me Turqinë kanë shkaktuar reagimin e Ankarasë. Funksionarët turq disa herë kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë që forcat kurdë të dislokohen në perëndim të lumit Eufrat. Turqia frikësohet se nëse çlirohet qyteti Manbexh, i vetmi territor sirian që kontrollohet nga ISIS do të bjerë në duart e kurdëve sirianë dhe praktikisht e gjithë vija kufitare mes Sirisë dhe Turqisë do të kontrollohet nga kurdët e Sirisë. Nga ana tjetër, mësohet se Ushtria siriane ka çliruar rrugën kryesore të rajonit Gute Lindore të provincës Damask kryeqytet i Sirisë dhe rajonin Vadi Dahab nga prania e terroristëve të ISIS. Këto rajone aktualisht janë nën kontrollin e plotë të ushtrisë siriane. Ndërkohë mësohet se avionët luftarakë sirianë kanë bombarduar sot pozicionet e grupeve të armatosura terroriste në qytetin Alepo dhe kanë ndërprerë rrugët e lidhjes së tyre me periferinë e qytetit Alepo. Kanali informativ Al Alam gjithashtu ka bërë të ditur se disa terroristë takfiristë të ISIS janë vrarë në përleshjet me forcat e ushtrisë siriane në fshatin Gaser në periferi të qytetit Suveida në jug të Sirisë. Terroristët sot kanë sulmuar rajonin Hamedanie të qytetit Alepo ku kanë vrarë disa civilë sirianë mes tyre një fëmijë. Operacionet ushtarake kundër grupit terrorist ISIS në Siri po vazhdojnë në nivel më të gjerë. forcat e Partisë Demokratike të kurdëve në Siri të përbëra nga koalicioni i grupeve arabe dhe kurde siriane të premten kanë zgjeruar operacionet e tyre ushtarake kundër grupit takfirist terrorist ISIS në veri të provincës Raka e cila konsiderohet qendra kryesore e grupit terrorist ISIS në veri të Sirisë dhe kanë filluar sulme të ashpra kundër bazave të terroristëve të ISIS në këtë rajon. Nga ana tjetër edhe avionët e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS kanë vazhduar sulmet e tyre kundër bazave dhe veprimeve të terroristëve të këtij grupi. Forcat e Partisë Demokratike të kurdëve të Sirisë të martën kanë filluar operacionet ushtarake në drejtim të Rakas për ta çliruar këtë rajon nga pushtimi i ISIS dhe për t'i dëbuar terroristët e këtij grupi nga provinca Raka. Gjatë këtyre operacioneve forcat kurde kanë çliruar pesë fshatra dhe kanë avancuar 7 km nga qyteza Ajnu Isa në drejtim të Rakas. Nga ana tjetër, ushtria siriane ka vazhduar operacionet e saj kundër terroristëve në rajonin Khan Shejkh në Ghuta-n perëndimore të Damaskut ku ka vrarë me dhjetëra terroristë.