Perspektiva e errët e negociatave për kompromis
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i16573-perspektiva_e_errët_e_negociatave_për_kompromis
Grupet e rezistencës palestineze kanë deklaruar se organizimi i konferencës së Parisit për zgjidhjen e çështjes së Palestinës është një veprim në kundërshtim me interesat e popullit të Palestinës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 04, 2016 04:27 Europe/Tirane
  • Perspektiva e errët e negociatave për kompromis

Grupet e rezistencës palestineze kanë deklaruar se organizimi i konferencës së Parisit për zgjidhjen e çështjes së Palestinës është një veprim në kundërshtim me interesat e popullit të Palestinës.

Lëvizjet Rezistenca Islamike e Palestinës (Hamas), Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës me anë të një deklarate të përbashkët, kanë theksuar se plani i Francës për paqe në Palestinë shkel parimet kombëtare të palestinezëve dhe qëllimi i tij është kthimi në negociatat e kota për kompromis me regjimin sionist. Këto grupe të rezistencës palestineze deklaruan se e vetmja rrugë për tu përballur me regjimin okupator sionist është rruga e rezistencës, sepse negociatat për kompromis janë vetëm në favor të regjimit sionist. Palestinezët iniciativën e Francës për organizimin e konferencës ndërkombëtare për paqe e quajtën veprim që synon të mashtrojë popullin e Palestinës me qëllim që ky i fundit të vë në harresë të drejtat e tij, sidomos të drejtën për kthimin e banorëve palestinezë në vendbanimet e tyre të cilët janë dëbuar me dhunë nga regjimi sionist. Ahmed Al-Maxhdalani, anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), në reagim ndaj fillimit të konferencës së Parisit, ka deklaruar se regjimi sionist nuk ka kurrfarë programi për paqe në territoret e pushtuara. Vlen të theksohet se konferenca e Parisit për zgjidhjen e krizës së Palestinës ka filluar ditën e premte. Ministri i punëve të jashtme të Francës në lidhje me këtë ka deklaruar se negociatat e drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Palestinës nuk kanë efekt. Zhan Mark Ajro, ministri i jashtëm, i Francës, të premten si organizatori i konferencës së Parisit, pretendoi se Franca dëshiron të ndihmojë izraelitët dhe palestinezët që të arrijnë rezultatin e duhur në negociata. Qarqet franceze po propagandojnë në këtë mënyrë se Franca ka mbledhur shefat e diplomacisë së fuqive të mëdha në një konferencë në Paris me qëllim që të gjenden alternativa për rifillimin e negociatave për kompromis mes Izraelit dhe Palestinës, mirëpo kjo është në kohën kur në këtë konferencë nuk janë ftuar përfaqësuesit e Palestinës dhe të regjimit sionist, prandaj përfundimi i një konference të tillë nuk mund të jetë gjë tjetër përveç dështimit. Përveç kësaj edhe Amerika që është aleatja kryesore e regjimit sionist vazhdimisht ka kundërshtuar planet për paqe të ashtuquajtur shumëpalëshe. Vlen të theksohet se në lidhje me konferencën e Parisit është bërë një propagandë e gjerë, mirëpo shumë qarqe informative besojnë se përpjekjet e Francës për ripërtëritjen e negociatave për paqe mes Izraelit dhe Autoritetit Autonom të Palestinës janë të gjykuara të dështojnë, për arsye se regjimi sionist nuk do të përfillë rezultatin e mundshëm të kësaj konference. Në këtë kuadër shefja e diplomacisë evropiane në konferencën e Parisit ka pohuar se aktualisht janë duke humbur shpresat për zbatimin e marrëveshjes së Oslos të nënshkruar në vitin 1993 mes regjimit sionist dhe AAP. Ajo ka theksuar se nuk bëhet përpjekje që të imponohet ndonjë gjë për ndonjë palë, mirëpo duhet thënë pa një kornizë rajonale dhe ndërkombëtare, palët nuk do të kthehen në tryezën e negociatave.