Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak mes Rusisë dhe Kinës
Anatoly Antonov, zv/ministër i Mbrojtjes i Rusisë, në takim me admiral San Xhiango, zv/shef i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kineze, gjatë konferencës së sigurisë së Azisë të zhvilluar në Singapor, theksoi në thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Pekinit.
Zv/ministri i Mbrojtjes i Rusisë deklaroi se Rusia dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje të re për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Nga ana e tij, admiral San Xhiango, zv/shef i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kineze, deklaroi se Rusia dhe Kina janë të vendosura të zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak, sepse të dyja vendet kanë kërcënime të përbashkëta. Para disa kohësh, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, bashkëpunimin ushtarak mes Kinës dhe Rusisë e cilësoi si model të përballjes me kërcënimet e sigurisë në shekullin e 21-të. Thellimi i marrëdhënieve ushtarake mes Rusisë dhe Kinës bëhet në një kohë të rritjes së tensioneve në marrëdhëniet e këtyre dy vendeve me SHBA. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë fjalimit të tij në samitin mbi sigurinë që po zhvillohet në Singapor, paralajmëroi se ndërtimi i ishujve artificialë nga Pekini në hapësirat mes ishujve të kontestuar në Detin e Kinës jug-lindore do të shkaktojë “veprime” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Carter ka ritheksuar se Pekini rrezikon të ndërtojë një “Mur të Madh” auto-izolimi me politikat e tij ekspansioniste në ujërat territoriale të kontestuara. Por e menjëhershme ka qenë përgjigja e Kinës. Admirali Sun Guan Youfei, komandant i zyrës kineze për bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar, ka akuzuar Carter për “mentalitet të luftës së ftohtë”. Ai shtoi se Kina nuk do të trembet nga askush, përfshirë vendimin që pritet nga gjykata ndërkombëtare për pretendimet e saj mbi këtë rrugë detare thelbësore tregtare. “Ne nuk krijojmë telashe, por ju siguroj se nuk kemi aspak frikë nga telashet. Kina nuk do të ketë asnjë pasojë dhe nuk do të lejojë asnjë shkelje të sovranitetit, interesave të saj të sigurisë, dhe as nuk do të qëndrojë indiferente ndaj disa vendeve që krijojnë kaos në detin e Kinës Jugore”, deklaroi admirali Sun. Edhe pse tha se Kina preferon shtrëngimin e duarve dhe jo të grushteve, admirali Sun nënvizoi se Kina nuk do të përulet para atyre që kanë ende mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Pekini pretendon sovranitetin mbi thuajse të gjithë detin e Kinës Jugore, ku kanë pretendime Brunei, Malajzia, Filipinet, Taivani dhe Vietnami. Ky territor detar është bërë pikë përplasjesh të forta diplomatike mes Kinës dhe SHBA-ve, sidomos pas fokusit mbi Azinë nën administratën e Presidentit Barack Obama. Dy superfuqitë kanë shkëmbyer akuza për militarizimin e zonës. Pekini ka ndërmarrë operacione masive ndërtimi ishujsh në këtë rajon, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake atje dhe stërvitjet e përbashkëta me rivalët e Kinës në zonë. Nga ana tjetër, NATO, më shumë se asnjëherë ka pranuar kërcënimin ekzistencial që vjen nga Rusia. Zv/shefi i shtabit të NATO-s deklaroi se Rusia është një kërcënim i ri, i cili do të ndikojë jo vetëm ushtarakisht, por ekonomikisht edhe diplomatikisht. Megjithatë, sipas analistëve, Rusia mund të jetë shumë herë më e gatshme për konflikt, por është NATO ajo që ka më shumë fuqi luftarake, më shumë para’ dhe më shumë forca. Në këtë klimë të tensionuar forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Pekinit duket si një reagim ndaj presioneve dhe kërcënimeve të SHBA dhe Perëndimit.