Krerët e BE në Turqi
Shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, dhe eurokomisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, kanë vizituar Turqinë ku kanë diskutuar me zyrtarët e Ankarasë për çështjet më të nxehta mes palëve.
Pas dialogut, përfaqësuesit e unionit mbajtën një konferencë për mediat së bashku me Ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, si dhe ministrin për Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Omer Çelik. Në fjalën e saj, Mogherini tha ndër të tjera se sa i përket konfliktit me kurdët është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje politike. Shefja e diplomacisë foli edhe për çështjen e Qipros. “Në lidhje me PPK, unë mund t’iu them se dhuna dhe sulmet terroriste duhet të ndalen, armët duhet të ulen dhe duhet të nisë një proces politik. BE-ja është e gatshme për të mbështetur në këtë aspekt. Ndërkohë, unë besoj se Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë një interes të përbashkët për të zgjidhur çështjen e Qipros. Shpresoj që diçka e tillë të ndodhë në një të ardhme të afërt”. Nga ana tjetër, ministri Çavusoglu, i kërkoi BE-së që të përshpejtojë procesin e dhënies së një fondi prej 6 miliardë eurosh, siç parashikon edhe marrëveshja e firmosur për menaxhimin e krizës së emigrantëve. “Procesi i transferimit të gjashtë miliardë eurove në trajtën 3+3, që na u premtua nga Bashkimi Europian për sirianët që jetojnë në Siri, duhet të përshpejtohet. Burokracitë nuk duhet të bëhen pengesë për diçka të tillë. Ne presim që procesi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.” Turqia pati edhe një tjetër vizitë të rëndësishme, teksa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi Ankaranë. Ai mbajti më herët një takim me Presidentin Erdogan, ndërkohë që vizitoi edhe Parlamentin e Turqisë, i cili pësoi dëme të konsiderueshme gjatë tentativës për grusht shteti.