Në pritje të muajit të shenjtë të Ramazanit (Speciale për pritjen e Ramazanit)
(last modified Sun, 25 Jun 2017 08:29:09 GMT )
Qershor 25, 2017 10:29 Europe/Tirane
  • Në pritje të muajit të shenjtë të Ramazanit (Speciale për pritjen e Ramazanit)

Imam Sadik (a.s.) gjithnjë në ditën e fundit të muajit sha'ban thoshte: "O Zot, tani erdhi ky muaj (Ramazani). Muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani i shenjtë për udhëzimin e njerëzve dhe ai është argument i qartë për udhëzim dhe për dallimin e të vërtetës nga e pavërteta. Na mbaj neve të shëndoshë gjatë këtij muaji dhe na mundëso neve që në mënyrë të shëndoshë dhe me qetësi, të dalim nga ky muaj!"

Erdhi pranvera e Ramazanit. Edhe pse në çdo mëngjes zgjimi dhe ngritja nga shtrati, është përsëritje e përditshme e jetës, mirëpo në agimin e ditës së parë të muajit të Ramazanit, jeta fillon me një armë dhe ngjyrë tjetër. Në këtë ditë vjen një erë e freskët dhe një lagështi e pastër ndërsa mëshira hyjnore, freskon zemrat e zhytura në gjumin e pakujdesisë. Në këtë gjendje këndojmë këtë lutje të Imam Xhafer Sadik (a.s.) të transmetuar nga Ehli Bejti i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. i cili në ditën e fundit të muajit sha'ban ka thënë: Imam Sadik (a.s.) gjithnjë në ditën e fundit të muajit sha'ban thoshte: "O Zot, tani erdhi ky muaj (Ramazani). Muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani i shenjtë për udhëzimin e njerëzve dhe ai është argument i qartë për udhëzim dhe për dallimin e të vërtetës nga e pavërteta. Na mbaj neve të shëndoshë gjatë këtij muaji dhe na mundëso neve që në mënyrë të shëndoshë dhe me qetësi, të dalim nga ky muaj!"

Ramazani, me qetësi dhe madhëri, vjen si gjithmonë duke krijuar edhe një rast tjetër që të përkushtohemi në adhurimin e Zotit dhe të përfitojmë nga mirësia e afrimit pranë Zotit. Ramazani erdhi që të na mbush ditët dhe netët e jetës tonë me aromën e freskët të adhurimit. Me të vërtetë ne kishim nevojë të madhe për këtë rast të pashembullt për tu vetmuar në adhurimin e Zotit. Ejani dhe në muajin i cili është kurim për zemrat e mëkatarëve, me krahët e pendimit të fluturojmë në qiellin e mëshirës së Zotit. O Zot, të falënderojmë ty që po përjetojmë edhe një muaj tjetër të Ramazanit! Përshëndetje dhe mirësevjen o muaji i mëshirës hyjnore! Përshëndetje dhe mirësevejn u muaji që dëshirojmë të mbetesh me në përgjithmonë!

Agjërimi është një prej shtyllave të Islamit dhe luan rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe përkryerjen shpirtërore të besimtarëve. Për këtë arsye Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. dhe imamët e pastër me gëzim prisnin muajin e bekuar të Ramazanit i cili është gosti hyjnore dhe muaji i agjërimit. Ata kryenin rituale të ndryshme për tu përgatitur sa më mirë për ta pritur muajin e shenjtë të Ramazanit. Në lidhje me këto rituale në një rast është transmetuar nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i cili në të premten e fundit të muajit sha'ban rreth rëndësisë së muajit Ramazan ka thënë: "O njerëz! Ramazani është një muaj në të cilin ju jeni të ftuar në gostinë e Zotit dhe jeni vendosur në kategorinë e të nderuarve të Zotit, frymëmarrjet tuaj në këtë gosti janë lartësim i Zotit. Gjumi i juaj në këtë muaj është adhurim...". Profeti s.a.v.s. pastaj në lidhje me pozitën e agjëruesve në ditën e Kiametit, ka thënë: "Në ditën e Kiametit thirrësi thërret: ku janë të ftuarit e Zotit!? Pastaj i sjellin agjëruesit... hipur mbi transportuesit e lartë prej drite dhe me kurorë mbi kokë, i dërgojnë në parajsë". Pikërisht rëndësia e ritualeve të pritjes së muajit të Ramazanit të kryera nga Profeti s.a.v.s., nga imamët, është bërë shkak që edhe tek populli i thjeshtë të zhvillohen rituale dhe veprime të veçanta si pastrimi i xhamive dhe objekteve fetare dhe observimin e hënës.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me ndikimin e agjërimit në psikikën e njeriut ka thënë: "Ai i cili dëshiron që të reduktojë pasigurinë e gjoksit të tij (zemrës), le të agjërojë muajin e Ramazanit dhe tre ditë në çdo muaj". Profeti s.a.v.s. në një rast tjetër ka thënë: "Agjërimi i muajit të Ramazanit dhe agjërimi tre ditëve në çdo muaj, mënjanon brengat e zemrës". Kjo thënie e bukur, tregon ndikimin e agjërimit mbi shpirtin dhe psikikën e njeriut  dhe kjo konsiderohet një prej dobive të panumërta të agjërimit. Disa, shekujt e kaluar i kanë quajtur shekuj të stresit dhe ndërlikimeve. Mirëpo në shekullin 21, gjithashtu, mungesa e spiritualitetit, konkurrenca ekstreme dhe faktorët e tjerë mahnitës të jetës industriale, e kanë thelluar edhe më tepër stresin e njeriut. Ndryshimet e shpejta shoqërore, humbja e rëndësisë së vlerave dhe të traditave shoqërore dhe më e rëndësishme nga çdo gjë tjetër, dobësimi i bazave të bindjeve fetare, kanë shtuar edhe më shumë nivelin e shqetësimeve dhe brengosjeve të njeriut. Bindjet fetare dhe traditat pozitive shoqërore, janë faktorë të cilët mund ta mbështesin njeriun përball çështjeve dhe problemeve shkatërruese të jetës.

Një prej bukurive të muajit të Ramazanit është kjo që ai përhap karakteristikat e bukura dhe të mira në mesin e agjëruesve. Për shembull, fillimi i muajit të Ramazanit është koha në të cilën duhet t'u jepet fund konflikteve dhe mosmarrëveshjeve e përçarjeve. Jeta makinë ka reduktuar dashurinë mes zemrave dhe si pasojë një moral më i ndryshëm ka ngadhënjyer mbi jetën. Mirëpo me fillimin e muajit të Ramazanit, zemrat zbutën për pajtim dhe miqësi sepse kënaqësia dhe dashuria e Zotit bëhet superioritet ndaj të gjitha gjërave të tjera. Mund të thuhet se zëri i parë spiritual i Ramazanit është lidhja mes zemrave dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes njerëzve. Kur'ani i shenjtë thekson në këtë çështje duke thënë: "Me të vërtet besimtarët janë vëllezër me njëri-tjetrin. Prandaj vendosni paqe mes vëllezërve tuaj dhe bëhuni të devotshëm në mënyrë që të hyjni në mëshirën e Zotit". (Huxhrat: 10).

Muaji i bukur dhe i bekuar i Ramazanit është një prej shenjave të dalluara të unitetit dhe bashkimit të myslimanëve në të gjithë  botën. Me fillimin e muajit të mëshirës, myslimanët nga çdo vend dhe racë që të jenë, me gëzim dhe lumturi presin fillimin e tij. Rituali i agjërimit në muajin e Ramazanit, ashtu si ritualet e madhërishme të Haxhit, në mesin e të gjitha shkollave dhe grupeve të myslimanëve, është një ritual i përbashkët dhe krijon unitet duke bashkuar të gjithë myslimanët rreth një boshti me emrin "Umeti Islam". Duke marrë parasysh faktin se në muajin e Ramazanit, dispozitat dhe rregullat e agjërimit janë të njëjta për të gjithë myslimanët në rajonet e ndryshme të botës islame, kufijtë gjeografikë dhe dallimet raciste nuk krijojnë distancë dhe ndarje mes anëtarëve të ndryshëm të Umetit Islam. Mund të thuhet se muaji i Ramazanit, është muaji i  dashurisë së zemrave dhe i afrimit të popujve myslimanë. Çdo myslimanë e konsideron vetën anëtar i një umeti të madh dhe të unifikuar dhe ndjen unifikimin dhe bashkimin me myslimanët e tjerë agjërues të cilët ndodhen në rajonet më të largëta të botës në minoritet.

Mirza Xhavad Agha Maleki Tabrizi, gnostiku i madh mysliman, konsideron se është e nevojshme që të respektohen disa rregulla për të hyrë në muajin e Ramazanit. Ai beson se për shkak të mirësisë së udhëzimit dhe muajit të Ramazanit, është mirë që njeriu së pari të falënderojë Zotin e madhëruar për mirësitë hyjnore. Pastaj për shkak të gabimeve dhe padrejtësive që ka bërë ndaj vetës, të kërkojë falje dhe të pendohet për neglizhencës që ka treguar në rrugën e pastrimit të zemrës dhe shpirtit. Ai thotë: "Me afrimin e muajit të Ramazanit, është mirë që njeriu të falënderojë Zotin për mirësitë dhe të kërkojë ndihmë nga Zoti që të kryejë sa më mirë urdhëresat hyjnore. Detyrë tjetër që duhet të kryhet për lidhjen e rrugës së njohjes së Zotit në fillim të muajit Ramazan, është ndjekja e rrugës së Ehli Bejtit (a.s.) dhe të imamëve ma'sum (a.s.). Njeriu kërkues i Zotit, duhet ta zgjedh rrugën dhe metodën e tyre si model për jetën e vet dhe të kërkojë nga ata që të lutën pranë Zotit për shpëtimin e tij. Në fund, agjëruesi duke paguar khomsin dhe zekatin, pastron ushqimin, të ardhurat dhe pasurinë e tij. Më mirë është që ai pastrimin e pasurisë dhe ushqimit ta bëjë në fillim të muajit Ramazan në mënyrë që adhurimet e tij të kryhen në rrugën e hallall dhe të pranuar".

Ramazani është muaji i lutjeve dhe adhurimeve pranë Zotit të mëshirshëm. Zoti i madhëruar në këtë muaj ka ftuar robërit e tij nevojtar në gostinë e dritës dhe gëzimit për tu ulur në sofrën e faljes dhe mëshirës. Kjo gosti është plotë me spiritualitet, përkryerje dhe njohje, prandaj robërit e Zotit duhet të njihen me rregullat dhe edukatën e kësaj gostie. Respektimi i kësaj edukate, shton përfitimet e robërve. Rëndësia e muajit Ramazan është deri në atë masë saqë Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, Ramazanin e përshkruan si një pjesë të parajsës dhe thotë: "Muaji i Ramazanit për çdo vit është një pjesë e parajsës të cilin Zoti i madhëruar e vendos atë në ferrin djegës të kësaj bote materiale dhe na jep rast neve që të ulemi në këtë sofër hyjnore dhe të hyjmë në parajsë. Janë disa njerëz të cilët vetëm gjatë atyre 30 ditëve hyjnë në parajsë, ndërsa janë disa njerëz të tjerë që me begatinë e këtyre 30 ditëve, përgjatë gjithë vitit hyjnë në parajsë kurse janë disa të tjerë që me begatinë e këtyre 30 ditëve, hyjnë në parajsë për gjithë jetën. Gjithashtu janë disa të tjerë të cilët tregojnë neglizhencë ndaj këtij muaji dhe mbesin të privuar nga mirësitë e tij".