Muharremi, muaji i dashurisë dhe i martirizimit
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i59651-muharremi_muaji_i_dashurisë_dhe_i_martirizimit
Pas kalimit të shumë shekujve, emri i Husein bin Ali (as) vazhdon të ngjallë emocione të forta në zemrat e njerëzve liridashës të botës, sepse lëvizja e Imam Huseinit (as) bazohej në parime që përkrahen nga njerëzit drejtësidashës në çdo kohë dhe në çdo vend.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shtator 21, 2017 22:00 Europe/Tirane

Pas kalimit të shumë shekujve, emri i Husein bin Ali (as) vazhdon të ngjallë emocione të forta në zemrat e njerëzve liridashës të botës, sepse lëvizja e Imam Huseinit (as) bazohej në parime që përkrahen nga njerëzit drejtësidashës në çdo kohë dhe në çdo vend.

Në të gjitha etapat e kryengritjes së shenjtë të Imam Huseinit (as), spikat besimi në Zot, drejtësia dhe lufta kundër padrejtësive. Efektet e pastra të vetëmohimit, sakrificës, besimit, diturisë dhe përsosmërisë shpirtërore që u shpalosën në këtë kryengritje tregojnë për një mendim sublim. Ndalimi i luftës në Muharrem ka qenë një nga mënyrat për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë mes fiseve arabe dhe një mënyrë për të ftuar për paqe dhe qetësi. Në epokën e injorancës, kjo traditë mbeti në fuqi dhe pas ardhjes së Islamit, kjo fe hyjnore gjithashtu e konfirmoi atë dhe e vendosi si një ligj për të gjithë myslimanët. Por në vitin 61 hixhri, sunduesit tiranë dhe injorantë të dinastisë Emevite e thyen nderimin e familjes së Profetit në muajin e Muharremit dhe në tokën e Qerbelasë, martirizuan nipin e Profetit Muhamed (s.a.v.s), Husein bin Aliun (as) si dhe fëmijët dhe shokët e tij. Nga kjo datë, muaji i Muharremit është i lidhur me emrin e  Husein bin Ali (as), dhe përkujton devotshmërinë, përkushtimin, trimërinë dhe heroizmin e njerëzve që u ngritën për ringjalljen e vlerave të fesë së Profetit Muhamed (s.a.v.s). Ajo çka e detyroi Imam Huseinin (as) të ngrihet kundër anomalive të kohës së tij, ishte devijimi i sundimit të dinastisë Emevite dhe rrjedhimisht, i shoqërisë, nga kriteret  dhe parimet origjinale të fesë islame. Ky ishte një fenomen  i hidhur që u zhvillua të paktën 50 vjet pas vdekjes së Profetit (s.a.v.s).  Harrimi i porosive të Profetit dhe izolimi i Ehlibejtit të tij, rënia e spiritualitetit në shoqërinë islame, pasurimi i pronarëve të pushtetit dhe përhapja e besëtytnive dhe devijimeve ishin faktorët që dhanë kontekstin për kthimin e shoqërisë në epokën e injorancës. Në atë kohë, rruga e denigrimit të shoqërisë shkoi aq larg, saqë fati i Ummetit të Islamit ra në duart e një sundimtari të korruptuar dhe kriminel si Jezidi. Një shoqëri që dikur e përjetoi udhëheqjen e Pejgamberit (s.a.v.s), u bë dëshmitare e sundimit të një personi të degjeneruar të quajtur Jezid. Jezidi injoroi parimet e Islamit dhe devijoi shumë prej tyre. Nga njëra anë, Imam Huseini (as) u përball me një pushtet që mendonte vetëm për interesat e tij të paligjshme dhe që për realizimin e tyre  shtrembëronte fenë dhe ushtronte shtypje dhe dhunë kundër njerëzve. Imami, në anën tjetër, vërente se shpirti i përkuljes dhe letargjisë ishte përhapur në shoqërinë islame duke i kthyer myslimanët në njerëz pa vullnet dhe indiferentë. Ata e dallonin të drejtën, por ishin zhytur në ndjekjen e punëve të kësaj bote dhe në ruajtjen e interesave të tyre. Për Jezidin dhe pasuesit e tij ishte shumë e rëndësishme që të kishin besatimin e një personi të rëndësishëm si Imam Huseini (as). Natyrisht, Imam Huseini (as), asnjëherë nuk kishte ndërmend t’i jepte besën Jezidit, sepse besnikëria ndaj Jezidit nënkuptonte konfirmimin e pushtetit të tij të korruptuar. Imam Huseini (as), duke perceptuar rrezikun e fuqizimit të mashtruesve në dukje fetarë, u përpoq të krijonte një valë zgjimi dhe ndërgjegjësimi fetar, shoqëror dhe politik në shoqërinë islame. Në përshkrimin e këtij grupi sundimtarësh, Imami ka thënë: "Feja është vetëm një lojë në gjuhët e tyre. Ata e duan fenë derisa i kanë të gjitha të mirat në jetën e kësaj bote, por kur vjen koha e sprovimit dhe e vuajtjes, sa të pakët  janë besimtarët e vërtetë". Imam Huseini (as), i cili së bashku me familjen, fëmijët dhe shokët e tij, kishte ndërprerë ritualin e Haxhit dhe ishte nisur drejt Kufës, përpara se të arrinte në atë qytet, u rrethua në Qerbela nga ushtria e Jezid bin Muavijes, por nuk u dorëzua. Përfundimisht, në ditën e dhjetë të Muharremit, të njohur si dita e Ashuras, Imam Huseini (as), bashkë me shokët e tij besnikë, pas 10 ditë vuajtjesh dhe etje, u martirizua në tokën e Qerbelasë. Pa dyshim, mësimet e muajit Muharrem të vitit 61 hixhri,  e sidomos të ditës së Ashuras, vazhdojnë sa të ekzistojë koha dhe toka, sepse konflikti mes mbrojtësve të drejtësisë dhe shtypësve është i përhershëm dhe nuk  njeh kufij kohorë dhe vendorë.