Një vit pas zgjedhjeve që ndryshuan imazhin e SHBA
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i62354-një_vit_pas_zgjedhjeve_që_ndryshuan_imazhin_e_shba
Tashmë është mbushur një vit nga zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale amerikane që u fituan nga Donald Trump. 
(last modified 2025-09-04T21:15:56+00:00 )
Nëntor 11, 2017 00:39 Europe/Tirane

Tashmë është mbushur një vit nga zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale amerikane që u fituan nga Donald Trump. 

Mijëra qytetarë amerikanë protestuan me këtë rast në shumë qytete të SHBA me moton: “T’i Drejtohesh Qiellit me Britma të Pashpresa”. Manifestimet i mbështetën edhe republikanët, çka evidenton përçarjen e thellë partiake, mes atyre që përkrahin presidentin dhe kundërshtarëve që sa vijnë e bëhen më të zëshëm. Natyrisht, në zgjedhjet e vitit 2016, përveç fituesve dhe humbësve, kishte fitues dhe humbës të tjerë që ndryshuan imazhin e vendit. Në këto zgjedhje, të njohura si "Zgjedhjet e shekullit" në Shtetet e Bashkuara, u mposhtën masat e pakënaqura, politikanët e margjinalizuar, emigrantët dhe elitat, organizatat politike dhe mbrojtësit e rendit tradicional të SHBA. Por pse ndodhi kjo?

 

Baza për formimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 u hodh rreth 10 vjet më parë, në ditët e krizës financiare të viteve 2008-2009. Deri në atë kohë, jeta politike, ekonomike dhe shoqërore e Shteteve të Bashkuara ishte pothuajse normale. Aktivitetet e përditshme në tregjet e aksioneve ishin normale dhe shumica e amerikanëve ishin të kënaqur me mirëqenien e tyre. Mundësitë e punës ishin në dispozicion të aplikantëve dhe programet e mirëqenies së qeverisë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të varfër po zbatoheshin normalisht. Natyrisht, në ato vite, frika për përsëritjen e sulmeve terroriste dhe pasojat negative të luftës në Irak kishte ngritur shqetësime, por megjithatë, këto çështje ishin më pak të rëndësishme në krahasim me çështjet ekonomike dhe të jetesës. Kjo gjendje zgjati deri në shpërthimin e papritur të flluskës së strehimit në Shtetet e Bashkuara, që çoi ekonominë e vendit dhe të botës drejt krizës së thellë. Me falimentimin e institucioneve financiare aktive në sektorin e strehimit, filloi një valë e konfiskimit të shtëpive që la të pastrehë mbi tre milionë qytetarë amerikanë. Pastaj, me ndërprerjen e flukseve të kapitalit në tregje, rrota e ekonomisë u ndal dhe recesioni përfshiu të gjithë sektorët e ekonomisë në SHBA. Qindra mijëra amerikanë humbën vendin e punës në këtë krizë dhe miliona amerikanë humbën kursimet e tyre nga pensionet. Kriza më e madhe ekonomike në SHBA, pas Depresionit të Madh në vitin 1929, la shumë amerikanë nën nivelin e varfërisë. Natyrisht, qeveria amerikane punoi për të mbajtur ekonominë duke injektuar nëpër tregje qindra miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve. Në krizën e shkaktuar nga lojërat financiare të Wall Street-it, amerikanët e pasur u bënë më të pasur dhe të varfërit u bënë më të varfër.

 

Kriza ekonomike u zbut pas dy vjetësh, por në të njëjtën kohë, kjo periudhë ishte e mjaftueshme që tronditjet financiare të Wall Street-it të shkundnin themelet e stabilitetit social dhe politik në Amerikë. Masat që u zemëruan me shkatërrimin e aseteve dhe bizneseve të tyre kundërshtuan oligarkinë financiare në Amerikë. Protestat kundër pabarazisë dhe korrupsionit filluan gjithashtu me zemër të kapitalizmit amerikan, në Wall Street. Protestuesit pushtuan Wall Street-in në lëvizjen e tyre të protestës dhe u ngritën në luftë kundër kapitalizmit të shfrenuar dhe çnjerëzor. Lëvizja u përhap shpejt në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në një periudhë të shkurtër kohore u përhap edhe përtej kufirit. Në këtë lëvizje, shoqëria amerikane u nda në dy grupe "një përqind dhe 99 përqind". Në 1 përqindshin përfshihen vetëm pak familje të pasura, të cilat kontrollonin më shumë se 80 për qind të pasurisë së vendit dhe 99 për qind ishin masat popullore që përfitojnë vetëm 20 për qind të pasurisë së komunitetit. Natyrisht, lëvizja "Pushtoni Wall Street-in", e cila kishte për qëllim që me qasje revolucionare t'u jepte fund marrëdhënieve të padrejta politike dhe ekonomike të sistemit kapitalist, shpejt u ridrejtua dhe u devijua nga organet qeverisëse dhe në fund u tret në sistemin tradicional të shtetit amerikan.

 

Në kulmin e pakënaqësisë sociale amerikane, në vitin 2016 u mbajtën zgjedhjet presidenciale. Në këto zgjedhje, politikanët e njohur dhe me famë dështuan njëri pas tjetrit në përballjen kundër heroit të masave të zemëruara, pra Donald Trump. Tashmë kur është mbushur një vit që kur Donald Trump u zgjodh president, gjendja kombëtare ka ndryshuar në disa mënyra të rëndësishme. Më e rëndësishmja nga këto ndryshime është thjesht kjo: Trump është bërë më pak popullor dhe kundërshtarët e tij politikë janë bërë më të popullarizuar. Papëlqyeshmëria e tij po dominon tani skenën politike të SHBA. Demokratët arritën një valë fitoresh në zgjedhjet lokale pikërisht në përvjetorin fitores së Trump, shumë prej të cilave në zonat konservatore. Republikanët e Kongresit, nga ana e tyre, po shpallin tërheqjen e tyre në një nivel jashtëzakonisht të shpejtë, duke u frikësuar se pozita e Trump do t’i rrënojë ata në zgjedhjet afatmesme të Kongresit në vitin 2018. Vlerësimi i miratimit të Trump ka rënë midis mbështetësve të secilës parti. Në përgjithësi, përkrahja për Trump ra nga 45 për qind në fillim të presidencës së tij, në 38 për qind këtë javë, sipas një raporti të institutit studimor Gallup. Demokratët nuk janë përfituesit e vetëm nga rënia e popullaritetit të Donald Trump. Disa nga institucionet që kanë qenë shënjestra të tij për të ngritur kritika, janë bërë më të besuara. Ai ka shpërthyer kundër sistemit ligjor ashtu edhe mediave, ndërsa tani publiku ka më shumë besim në të dyja, sesa në një vit më parë.

 

Që nga fitorja e Trump, republikanët amerikanë janë bërë më të kënaqur me ekonominë dhe më të rehatshëm me rastet e krimeve lokale, ndërsa demokratët janë tepër të pakënaqur sidomos nga përpjekjet e Trump për të shkatërruar çdo reformë politike, ekonomike dhe sociale të ish administratës amerikane. Është pothuajse sikur të dy grupet jetojnë në vende të ndryshme. Kjo prirje duket veçanërisht e denjë për reflektim në mesin e demokratëve që pyesin veten se pse republikanët lejojnë pikëpamjet e tyre partiake të diktojnë çdo gjë tjetër. Qëndrimet mbi armët kanë ndryshuar gjithashtu, megjithëse ky trend ndoshta ka të bëjë shumë me sulmet e fundit me armë kundër masave sesa me Trump. Veçanërisht, republikanë dhe të pavarur nuk tregojnë shenja të ndryshimit të qëndrimit së tyre rreth kontrollit të armëve, gjë që ndihmon në shpjegimin pse legjislacioni nuk po shkon asgjëkundi në Kongres.

 

Megjithatë, republikanët përballen me rreziqet më të mëdha për fatin e partisë së tyre në zgjedhjet e ardhshme. Presidenti i tyre është jopopullor dhe, deri më tani, shumë i pasuksesshëm në miratimin e legjislacionit. Megjithatë, partia po tregon pak shenja të ndryshimit të drejtimit.

Në rastin e ekonomisë, demokratët duket se janë ata që lënë përshtypjen e ngjyrosjes partiake. Shumica e ekspertëve ndërkombëtarë janë të mendimit se Donald Trump e ka ndikuar negativisht ekonominë botërore. Sipas një sondazhi të kryer me 929 ekspertë nga 120 vende të botës, 57,2% e ekspertëve të pyetur janë të mendimit, se ardhja e tij në pushtet e ka rënduar ekonominë amerikane. Por ndikimin më negativ të politikës së Trumpit ekspertët e shohin në fushën e drejtësisë sociale dhe mbrojtjes së mjedisit. 73,5% të ekspertëve të anketuar dhe 61,2% të ekspertëve në SHBA janë të mendimit se më shumë vuajnë të varfrit nga politika e Trumpit, si ajo e parashikuar ashtu edhe ajo e jetësuar ndërkohë.  Më kritikë janë ekspertët nga Kanadaja, Meksika e Irlanda. Më pak kritikë janë ekspertët amerikanë. Vetëm 38% e tyre janë shprehur, se presidenca e Trumpit ka sjellë pasoja negative brenda vendit. Por megjithatë ata vazhdojnë ta konsiderojnë qeverinë e Trumpit si jo efektive dhe të dëmshme për politikën e brendshme dhe të jashtme të SHBA.

 

Sidoqoftë, ka kaluar një vit që nga zgjedhjet që sollën dritën e shpresës tek masat e pakënaqura në Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur e njëjta gjë që ka ndodhur edhe më parë në atë vend. Qeveria e Trump është bërë përkrahëse e zellshme e manjatëve të Wall Street-it, pra të asaj shtrese të njohur si një përqindshi. Plani për reformimin e sigurimeve shëndetësore, i njohur si OBAMACARE, është depozituar në arkiva dhe nuk ka shenja për realizimin e premtimit të Donald Trump për prosperitet ekonomik. Ndërsa SHBA po përjeton ndarjen më të madhe sociale dhe politike në historinë e këtij vendi, është shtuar rreziku i  shfaqjes së rrymave të radikalë të ekstremit të djathtë që kanë sfiduar traditat demokratike të vendit. Duket se e ardhmja e tij politike do të varet nga aftësia e Donald Trump për të rikthyer  gjigantin që ai lëshoi nga llampa magjike.