Tërbimi i regjimit Al Saud në epokën e Selmanizmit
Më 4 nëntor, në mënyrë krejt të papritur kryeministri libanez Saad Hariri dha dorëheqjen nga posti i tij. Saad Hariri ka njoftuar dorëheqjen e tij nga kryeqyteti i Arabisë Saudite. Riad. Në këtë emision do shqyrtojmë arsyet dhe qëllimet e Riadit në detyrimin e Haririt për të dhënë dorëheqjen.
Vetëm pak ditë pas zgjedhjes së Michel Aoun si presidenti libanez, Saad Hariri u emërua kryeministër i Libanit në nëntor 2016. Kryeministri libanez dha dorëheqjen pas një viti, gjatë të cilit vendi pati një stabilitet të paprecedent, dhe qeveria Hariri kishte një rekord pozitiv. Ndër këto suksese mund të thuhet se procesi i stabilizimit përfshin miratimin e ligjit zgjedhor, miratimin e projektligjit të buxhetit të Libanit pas 12 vjetësh, pagesën e borxheve dhe të pagave të prapambetura për një periudhë dhjetëvjeçare të nëpunësve civilë dhe përcaktimin e majit 2018 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Liban. Prandaj, në kundërshtim me atë që Saad Hariri përshkroi në deklaratën e tij të dorëheqjes dhe siç theksoi Sejed Hasan Nasrullah, arsyet për këtë dorëheqje nuk duhet të kërkohen në Liban, por duhet të kërkohen në Arabinë Saudite. Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes libaneze Hezbollah, deklaroi se autoritetet saudite kanë shpallur haptazi një luftë në Liban duke mbajtur peng kryeministrin Saad Hariri dhe duke e detyruar atë të dorëhiqej nga posti i tij. "Hariri është një i burgosur në Arabinë Saudite dhe nuk mund të kthehet në vendin e tij. Arabia Saudite po kërkon t’i imponojë vullnetin e saj qeverisë libaneze. Regjimi i Riadit po përpiqet të mbjellë farën e mosmarrëveshjeve midis fraksioneve të ndryshme politike libaneze dhe t'i nxitë ata kundër njëri-tjetrit ", tha udhëheqësi i Hezbollahut. Nasrallah vazhdoi duke thënë se Arabia Saudite i ka apeluar edhe regjimit izraelit për të nisur një sulm ushtarak kundër Libanit në emër të luftimit të Hezbollahut dhe është gati të shpenzojë miliarda dollarë për të arritur këtë objektiv.
Samdar Biri, një analist i çështjeve arabe në gazetën sioniste Yediot Aharonot, të dielën (5 nëntor) theksoi: "Dorëheqja e Haririt nuk ishte aq e papritur për ata që ndjekin zhvillimet e rajonit të LM, sepse Ministri Këshilltar i Arabisë Saudite për çështjet e Gjirit Persik, të martën shkroi në faqen e tij në Twitter se Irani duhet të ndalet dhe se në të ardhmen e afërt do të ndodhë diçka e rëndësishme. Sauditët ishin të vetmit që nuk u habitën nga dorëheqja e Haririt. Nuk është rastësi që Riadi është zgjedhur nga Hariri për të deklaruar dorëheqjen, sepse kjo tregon se sauditët janë për të si një strehë. "
Çështja kyçe është pse Arabia Saudite e detyroi kryeministrin e Libanit të japë dorëheqjen?
Përgjigja e parë për këtë pyetje ka lidhje me rivalitetin e Arabisë Saudite me Republikën Islamike të Iranit në Lindjen e Mesme. Lindja e Mesme e tanishme ka tre fuqi rajonale, përkatësisht: Republika Islamike e Iranit, Arabia Saudite dhe Turqia. Në zhvillimet në botën arabe, Turqia zakonisht ka ecur në një linjë me një nga dy aktorët. Turqia në krizën siriane fillimisht ka bashkëpunuar me Arabinë Saudite dhe ka ndjekur politikën e rrëzimit të Bashar Asadit nga pushteti, por gjatë vitit të kaluar ai e ka reduktuar hendekun e tij me Republikën Islamike të Iranit në krizën siriane. Ndërkohë, Turqia ka marrë anën e Katarit në tensionet midis vendeve arabe dhe Katarit, dhe ashtu si Irani, është përballur me Arabinë Saudite. Në tensionet midis Kurdistanit irakian dhe qeverisë irakiane, Turqia mbajti një qëndrim të përbashkët me Republikën Islamike të Iranit për të mbështetur qeverinë e Bagdadit.
Por Arabia Saudite dhe Republika Islamike e Iranit, megjithatë, janë përballur zyrtarisht, kështu që Riadi ka ndërprerë lidhjet e tij diplomatike me Teheranin që nga janari 2016. Pikëpamja mbizotëruese në rajonin e Lindjes së Mesme është se krizat aktuale në këtë rajon janë luftëra të deleguara mes Riadit dhe Teheranit . Ndërsa strategjia më e rëndësishme rajonale e Teheranit është të ruajë stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të kundërshtojë ndërhyrjen e fuqive të huaja në çështjet e këtij rajoni, strategjia më e rëndësishme e Arabisë Saudite është të luftojë ndikimin rajonal të Republikës Islamike e Iranit. Modeli i sjelljes që Riadi ka ndërmarrë për të zbatuar këtë strategji është të krijojë pasiguri, trazira dhe dhunë në fushat e influencës rajonale të Republikën Islamike të Iranit. Riadi nuk sheh aftësinë për t'u marrë drejtpërdrejt me Republikën Islamike të Iranit, prandaj, aleatët e Teheranit në Lindjen e Mesme kanë qenë në shënjestër të Arabisë Saudite . Siria, Iraku, Hezbollahu i Libanit dhe Ansarullah i Jemenit mund të thuhet se janë aleatët më të rëndësishëm rajonalë të Republikës Islamike të Iranit.
Në fillim, duke shfrytëzuar grupet terroriste takfiriste, Arabia Saudite vuri në shënjestër Sirinë, por pas shtatë vjetësh, regjimi sirian mbeti i pandryshuar dhe procesi i shkatërrimit të terroristëve është përshpejtuar. Në fazën e dytë, Arabia Saudite ka synuar Irakun dhe, duke u përpjekur të intensifikojë divergjencat politike brenda Irakut, ka ndjekur politikën e mbrojtjes së terrorizmit të ISIS në Irak, por dekreti historik i autoritetit fetar irakian që kërkoi formimin e një force të "mobilizimit popullor" e njohur si Hashd al-Sha'bi luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe pas tre vjetësh rezultoi me fundin e grupit terrorist ISIS në Irak. Edhe mbështetja e fshehtë e Riadit për qëndrimet separatiste të rajonit të Kurdistanit irakian nuk ka dhënë rezultat. Hapi i tretë i Riadit ishte fillimi i agresionit kundër Jemenit në mars 2015. Ndonëse vlera strategjike e lëvizjes së Ansarullah të Jemenit për Iranin nuk është e krahasueshme me atë të Hezbollahut të Libanit, ekziston një identitet fetar midis Republikës Islamike dhe lëvizjes Ansarullah. Lufta kundër Jemenit, me qëllim të margjinalizimit të Ansarullahut, jo vetëm që ka dështuar për të arritur rezultatin e dëshiruar të Arabisë Saudite, por Riadi është zhytur thellë në moçalin jemenas.
Tashmë, në raundin e katërt të politikës rajonale anti-iraniane, Arabia Saudite po i përqendron sulmet ndaj Hezbollahut të Libanit. Arabia Saudite duke synuar aleatët rajonalë të Iranit, përpiqet të ushtrojë presion ndaj Teheranit, dhe të parandalojë superioritetin e tij rajonal. Me humbjen e Arabisë Saudite në krizën siriane, sulmet saudite ndaj Hezbollahut janë rritur ndjeshëm dhe ministri këshilltar saudit për çështjet e Gjirit Persik, Samrr al-Subhan njoftoi formimin e një koalicioni ndërkombëtar kundër Hezbollahut të Libanit dhe e quajti Hezbollahun "Hezboshejtan". Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu janë në një linjë me Arabinë Saudite. Me fjalë të tjera, trekëndëshi i Arabisë Saudite, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara po sulmon Hezbollahun në Liban, në një raund të ri të taktikave të tyre politike për t'u përballur me Republikën Islamike të Iranit dhe Riadi, me presionin ndaj Saad Haririt që të japë dorëheqjen, ia ka shtuar atë këtij trekëndëshi. Prandaj, Saad Hariri, në një kohë që anëtarët e grupit politik 8 Marsi, që varen nga Hezbollah, janë anëtarë të kabinetit të tij, në një deklaratë pas dorëheqjes së tij, sulmoi Hezbollahun e Libanit së bashku me Republikën Islamike të Iranit.
Arsyeja e dytë e presionit të Arabisë Saudite që Saad Hariri të japë dorëheqjen është pakënaqësia e Arabisë Saudite me punën e qeverisë së Saad Haririt në politikën rajonale, veçanërisht në krizën siriane. Ndërsa Libani nuk kishte ambasador në Siri që nga viti 2013 dhe ambasada libaneze në Damask drejtohej nga një i ngarkuar me punë, në fund të tetorit 2017, Saad Zahia u prezantua si ambasador i ri i Libanit në Siri. Saad Zahia mbërriti në Damask dhe filloi zyrtarisht punën si ambasador, një ditë para dorëheqjes së Saad Haririt nga posti i kryeministrit të Libanit. Nga njëra anë, ky veprim ishte njohje e qeverisë siriane nga qeveria e Saad Haririt, dhe nga ana tjetër, ishte përpjekje e Libanit për të forcuar marrëdhëniet e tij me Sirinë. Kur filloi kriza siriane, Libani miratoi një politikë të neutralitetit, dhe ndonëse marrëdhëniet e tij me Sirinë nuk u ndërprenë plotësisht, dy vendet gjithashtu nuk kishin marrëdhënie të ngrohta. Emërimi i ambasadorit të ri libanez në Siri nënkuptoi pranimin e kushteve të reja në krizën siriane dhe pozitën supreme të qeverisë së vendit në zhvillimet e brendshme në Siri. Kjo nuk ishte një çështje e pranueshme për Arabinë Saudite. Për shkak të varësisë së madhe të Saad Haririt ndaj qeverisë saudite sidomos në fushën ekonomike, Arabia Saudite, me pakënaqësi të thellë ndaj qasjes së re të qeverisë libaneze kundrejt Sirisë, e ka shtyrë Saad Haririn të japë dorëheqjen. Hariri gjithashtu i ka vendosur interesat e tij personale, veçanërisht interesat e tij ekonomike, mbi interesat kombëtare të Libanit dhe ka përqafuar praktikisht Riadin me dorëheqjen e tij. Prandaj siç theksoi lideri i Hezbollahut, Sejed Hasan Nasrullah, arsyet për këtë dorëheqje nuk duhet të kërkohen në Liban, por në Arabinë Saudite. Veprimi i fundit i Arabisë Saudite duket të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me deklaratën e fundit të Princit të Kurorës të Arabisë Saudite lidhur me konfrontimin me Republikën Islamike të Iranit. Princi i kurorës Muhamed bin Salman deklaroi kohët e fundit se "për ato që kanë ndodhur në 30 vitet e fundit në Lindjen e Mesme nuk është fajtore Arabia Saudite. Pas revolucionit iranian në vitin 1979, njerëzit donin të kopjonin këtë model në vende të ndryshme, njëra prej tyre ishte Arabia Saudite. Ne nuk dinim si të merreshim me këtë problem që akoma po përhapet në të gjithë botën. Është koha për t’a hequr qafe atë”.
Arabia Saudite, edhe në epokën e "Selmanizmit" nuk ka potencial të përballet drejtpërdrejt me Republikën Islamike të Iranit dhe ka shënjestruar aleatët e Iranit në Lindjen e Mesme, sidomos Hezbollahun e Libanit. Loja e Arabisë Saudite në fushën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, jo vetëm që do t'i realizojë qëllimet e regjimit Al Saud, por dështimet e saj në Siri, Irak dhe Jemen vërtetuan se kjo lojë do të forcojë edhe më tej Republikën Islamike të Iranit. Me sa duket, i riu bin Salman nuk është gati të mësojë mësimet e diplomacisë nga historia.