Amerika dhe Arabia Saudite: Naftë kundrejt sigurisë (1)
Marrëdhëniet Uashington-Riad kanë hyrë në një periudhë të paprecedent të bashkëpunimit me fillimin e presidencës së Donald Trump në Amerikë.
Riadi ishte misioni i parë i huaj i presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara dhe mbreti saudit Salman bin Abdulaziz mblodhi një grup udhëheqësish dhe përfaqësuesish të vendeve arabo-islamike në Riad për t'u takuar me Donald Trump. Pastaj erdhi radha e kontratave që përfshinin më shumë se 450 miliardë dollarë dhe u quajt ‘kontrata e shekullit’. Vetëm në sektorin ushtarak dhe atë të mbrojtjes, u nënshkrua një marrëveshje prej 110 miliardë dollarësh midis zyrtarëve amerikanë dhe sauditë duke thyer rekordin e kontratës më të lartë të armëve në botë. Në përfundim të kontratave, Trump kërceu një valle me shpatë së bashku me princat sauditë dhe duke thyer traditën, fluturoi nga Riadi në Tel Aviv.
Pas kësaj vizite, regjimi Al Saud, nën udhëheqjen e princit të ri dhe aventurier të Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, vendosi një bllokadë ekonomike dhe politike kundër Katarit, detyroi kryeministrin libanez të japë dorëheqjen dhe nisi një luftë të ashpër verbale me Republikën Islamike të Iranit. Një qasje e tillë reflekton ridefinimin e rolit të Arabisë Saudite në strategjinë amerikane ndaj rajonit të Azisë Perëndimore. Cilat janë aspektet e këtij roli të ri? Për t’iu përgjigjur ndaj kësaj pyetjeje duhet të kthehemi disa dekada më parë kur mbretëria e re e Arabisë Saudite e kryesuar nga mbreti Abdul Aziz bin Saud, për të mbrojtur rezervat e naftës kundër kërcënimeve të huaja, u fut nën ombrellën e amerikanëve. Në vitet e trazuara para Luftës së Dytë Botërore, Mbreti Abdul Aziz burimet e naftës së Arabisë Saudite ua dorëzoi kompanive amerikane të naftës për të garantuar sigurinë dhe ekzistencën e vazhdueshme të regjimit të familjes Al Saud. Kur kanë kaluar afro 80 vjet që nga ajo kohë, kjo ndërvarësi e naftës kundrejt sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite ka vazhduar .
Ekonomia e Perëndimit, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, pa burimet e naftës të eksportuesit më të madh të naftës në botë, pra të Arabisë Saudite, do të asfiksohej, ndërsa edhe siguria e rezervave më të mëdha të naftës në botë nuk do të sigurohet pa mbështetjen e fuqisë më të madhe ushtarake në botë, pra të Shteteve të Bashkuara. Madje edhe kur udhëheqësit e Arabisë Saudite organizuan një bojkot të naftës në vitin 1973 për të mbrojtur çështjen palestineze dhe për të mbrojtur umetin arab kundër agresioneve izraelite, marrëdhënia midis naftës dhe sigurisë ndërmjet Riadit dhe Uashingtonit nuk u prish. Sauditët, me pak shqetësime dhe kërcënime nga amerikanët, ranë dakord të ndalin embargon e naftës, ndërsa amerikanët pranuan me fjalë dhe jo në praktikë të rishikonin disa nga shqetësimet e botës arabe. Megjithatë, për sa kohë që qeveria pro-perëndimore në Iran ishte në fuqi, marrëdhëniet Uashington-Riad përqendroheshin kryesisht rreth çështjeve ekonomike dhe stabilitetit të tregut të naftës. Rënia e regjimit Pahlavi pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, shembi njërën nga dy shtyllat e politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme në vitet 1960 dhe 1970. Deri në atë kohë, dominimi amerikan i Lindjes së Mesme bazohej në dy shtylla të fuqisë politiko-ushtarake të Iranit dhe ekonomiko-financiare të Arabisë Saudite.
Me transformimin e Iranit në kundërshtar të dominimit të SHBA në rajon, mbështetja politike dhe ushtarake e SHBA vërshoi drejt Arabisë Saudite. Agresioni i ushtrisë irakiane kundër Iranit në vitin 1981 u dha liderëve amerikanë dhe sauditë një mundësi për të promovuar nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sauditët, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj Iranit në luftë dhe imponimit të kërkesave të amerikanëve ndaj Teheranit, nisën një luftë të çmimeve të naftës, duke ofruar ulje të paparë në çmimet e naftës nën 10 dollarë për fuçi. Kjo strategji dëmtoi jo vetëm interesat e vendeve të pasura me naftë, duke përfshirë Iranin, Irakun dhe Arabinë Saudite, por përfundimisht çoi në prosperitet ekonomik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat pas rënies së çmimeve të energjisë, rritën prodhimin dhe krijuan miliona vende të reja pune. Pastaj, kur lufta e çmimit të naftës nuk funksionoi, sauditët me paratë e tyre blenë armë nga SHBA për tu përdorur nga Sadami për të vrarë popullin iranian. Paratë e dhuruara nga regjimi Al Saud në luftën e imponuar nga Iraku kundër Iranit, përveç zgjatjes së këtij konflikti të përgjakshëm, gjithashtu nxitën industritë amerikane dhe evropiane të armëve. Hapi i ardhshëm në fushatën saudite për garantimin e interesave të SHBA, ishte kërkesa për vendosjen e flamurit të vendeve të treta në tankerët e naftës të Arabisë Saudite ose Kuvajtit, gjë që hapi rrugën për futjen e luftanijeve amerikane në Gjirin Persik. Ky hap ishte fillimi i zgjerimit të pranisë ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik, duke kulminuar disa vite më vonë nën pretekstin e okupimit të Kuvajtit nga Iraku.
Gjatë viteve para pushtimit të Kuvajti nga Iraku, sauditët blenë çdo vit miliarda dollarë nga armët dhe pajisjet më moderne amerikane dhe evropiane. Preteksti për këto blerje ishte garantimi i sigurisë saudite kundër armiqve. Megjithatë, kur Sadam Huseini pushtoi Kuvajtin gjatë një gjysmë dite dhe avancoi pranë puseve të naftës saudite, sauditët nuk mund të qëndronin përballë Irakut me ndihmën e ushtrisë saudite të mbështetur dhe të pajisur nga SHBA. Mbreti Fahd, Mbreti i atëhershëm i Arabisë Saudite, në një letër drejtuar George HW Bush, i bëri thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për të siguruar vendin e tij duke dërguar qindra mijëra trupa amerikane në Arabinë Saudite. Disa studiues dhe ekspertë besojnë se okupimi i Kuvajtit nga Sadam Huseini dhe, rrjedhimisht, vendosja e trupave amerikane në Arabinë Saudite ka qenë një komplot i paramenduar për dominimin ushtarak të SHBA-së mbi rajonin e Azisë Perëndimore dhe të Gjirit Persik. Në mbështetje të kësaj teorie, ata kujtojnë dritën e gjelbër të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bagdad, kur gjatë takimit me Sadamin, deklaroi Uashingtoni nuk ndërhyn në mosmarrëveshjet mes vendeve arabe. U duk sikur kjo fjali të ishte e mjaftueshme për të nxitur Sadamin të sulmojë Kuvajti pa pasur frikë nga reagimi i amerikanëve . Megjithatë, disa orë pas sulmit të Sadamit kundër Kuvajtit, Shtetet e Bashkuara prezantuan një plan për vendosjen e 500,000 trupave në rajon, duke përfshirë edhe në Arabinë Saudite, me pretekstin e sigurimit të lirisë së kalimit të energjisë nga Gjiri Persik.
Arabia Saudite luajti një rol kyç gjatë Luftës së Parë të Gjirit Persik, që çoi në çlirimin e Kuvajtit. Për amerikanët fitimi i luftës me Irakun do të ishte shumë më e vështirë nëse nuk do të përdoreshin bazat ushtarake saudite. Ujdia e naftës kundrejt sigurisë u shfaq edhe një herë gjatë Luftës së Parë të Gjirit Persik. Sauditët me vazhdimin e eksporteve të naftës dhe me pagesën e faturave të luftërave të SHBA-së në rajon, mbrojtën sigurinë e tyre kundër orekseve ekspansioniste të Sadamit, ndërsa amerikanët, me paratë e sauditëve për herë të parë krijuan baza të përhershme ushtarake në rajonin strategjik dhe të rëndësishëm Gjirit Persik. Me fundin e luftës, marrëdhënia midis Riadit dhe Uashingtonit u bë gjithnjë e më e vendosur. Të dy vendet u shqetësuan për vakumin e krijuar nga dobësimi i Irakut kundrejt Iranit, dhe e kthyen vëmendjen e tyre nga Irani.