Reagimet rajonale dhe globale ndaj negociatave mes dy Koreve
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i69493-reagimet_rajonale_dhe_globale_ndaj_negociatave_mes_dy_koreve
Lojërat olimpike dimërore në Pyeongchang, që vijnë vetëm 30 vjet pas Lojërave të Seulit, mund të përfaqësojnë shansin më të mirë për të nisur procesin e pajtimit mes dy Koreve.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 19, 2018 18:54 Europe/Tirane
  • Reagimet rajonale dhe globale ndaj negociatave mes dy Koreve

Lojërat olimpike dimërore në Pyeongchang, që vijnë vetëm 30 vjet pas Lojërave të Seulit, mund të përfaqësojnë shansin më të mirë për të nisur procesin e pajtimit mes dy Koreve.

Qasja pajtuese e Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, që lideri koreanoverior Kim Jong-un duket se e përsëriti në fjalimin e Vitit të Ri, ka krijuar një shkrirje të lehtë në marrëdhëniet mes Veriut dhe Jugut. Moon Jae In, president i Koresë Jugore ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit japonez Shinzo Abe për të kryer një stërvitje të përbashkët ushtarake me Shtetet e Bashkuara në Gadishullin Korean. Përpjekjet e Jugut për të lehtësuar tensionet duke shtyrë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, por edhe vendimi i Veriut për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike kanë krijuar optimizëm në qarqet politike dhe mediatike rajonale dhe globale. Të dy vendet marshuan së bashku në ceremoninë e hapjes dhe formuan edhe një ekip të përbashkët të hokejit të femrave. Gjithashtu, Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in është ftuar të vizitojë Korenë e Veriut, me ftesë zyrtare nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.  Presidenti Moon është takuar me delegacionin mik nga Koreja e Veriut, mes tyre edhe motra e liderit koreanoverior. Ka qenë pikërisht Kim Yo-jong ajo që ka prezantuar ftesën për kreun koreano-jugor të shtetit. Takimi i zhvilluar në pallatin presidencial në Seul konsiderohet si përballja më e rëndësishme diplomatike mes dy vendeve. Pjesëmarrës ishte edhe lideri ceremonial Kim Yong-nam, i konsideruar si kreu i delegacionit të ardhur nga Veriu. Palët gjithashtu u përshëndetën edhe gjatë ceremonisë hapëse të Olimpiadës Dimërore, teksa presidenti Moon shtrëngoi duart me Kim Yo-jong në dy raste, kur Koretë marshuan nën një flamur të përbashkët.

 

Por duket se kjo shkrirje e akujve mes dy Koreve nuk është reflektuar në Uashington. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kërcënuar përsëri Korenë e Veriut me një sulm ushtarak pasi Koreja e Jugut po përjeton një zbutje të madhe në marrëdhëniet e saj me Penianin, për herë të parë në më shumë se 60 vjet. Zv/presidenti amerikan Mike Pence, i ulur vetëm disa vende larg zyrtarëve koreanë, e priti skenën e takimit me një pamje të ftohtë. Madje raportohet se ai dhe zyrtarët veriorë nuk janë përshëndetur me njëri-tjetrin në asnjë moment. Nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili ka udhëhequr një delegacion të zyrtarëve amerikanë për të ndjekur Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut, tha në një intervistë ekskluzive me NBC News se Uashingtoni nuk po përjashtonte opsionet ushtarake pasi “tensionet vazhdojnë të  tensionojnë Gadishullin Korean”. "Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion ekonomikisht dhe diplomatikisht, duke ruajtur të gjitha opcionet tona ushtarake ndaj Koresë së Veriut", shtoi Pence. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit i SHBA Rex Tillerson ka thënë se Shtetet e Bashkuara po përdorin "shkopinj të mëdhenj" në vend të karrotave për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga armët bërthamore. "Ne nuk po përdorim një karotë për t'i bindur ata që të flasin, po përdorin shkopinj të mëdhenj dhe kjo është ajo që ata duhet të kuptojnë", tha Tillerson në një intervistë me CBS News. Tillerson tha se komunikimi i fundit midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut është një shenjë se presioni amerikan në Korenë e Veriut po punon. Ai tha gjithashtu se SHBA do të jetë gati për bisedime me Korenë e Veriut. "Detyra ime si diplomati kryesor është të siguroj që Koreja e Veriut të dijë se ne i mbajmë hapur kanalet tona", tha Tillerson.

 

Ndërkohë, shefi i Komandës së Paqësorit të ushtrisë së SHBA-ve, admirali Harry Harris Jr. Ka qenë më i ashpër duke vlerësuar se diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dëshiron që me armët e tij bërthamore të pushtojë Korenë e Jugut, për të arritur atë që nuk kanë mundur gjyshi dhe babai i tij. "Unë mendoj se ka një pikëpamje mbizotëruese, se gjërat që po i bën Kim, i bën për të mbrojtur regjimin e tij. Unë nuk e komentoj këtë pikëpamje. Unë mendoj se ai synon ribashkimin, sipas një sistemi të vetëm komunist, kështu që ai synon të realizojë atë që nuk kanë arritur ta bëjnë gjyshi dhe babai i tij", tha Harris. Shtetet e Bashkuara me qëllim vazhdimin e shkatërrimit të çdo fushe të mirëkuptimit dhe dialogut ndërmjet dy Koreve, edhe më tej akuzojnë Korenë e Veriut se shfrytëzon Olimpiadën Dimërore për fshehjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të programit të armëve destruktive. Shumë qarqe e shohin këtë reagim amerikan si një lloj ngurtësie të Uashingtonit përballë zbutjes së qëndrimeve të udhëheqësit të Koresë së Veriut. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë kërcënuar se mund të sanksionojnë Penianin përtej vendimeve të KS të OKB për ta detyruar Korenë e Veriut të ndalë programin e armatimit bërthamor.

 

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka lavdëruar mikpritjen që Koreja e Jugut ia ka ofruar delegacionit të vendit të tij në Olimpiadën Dimërore, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të afrimit më të për zgjerimin e dialogut në Gadishullin Korean. Brenda Koresë së Veriut, media shtetërore e përshkroi vizitën e delegacionit të nivelit të lartë koreanoverior në Jug si një udhëtim "kuptimplotë" që përmirësoi marrëdhëniet ndër-koreane të ngrira prej vitesh. Marrëdhëniet ndër-koreane, megjithatë, po kërcënohen nga manovrat ushtarake amerikano-koreanojugore që parashikohet të zhvillohen në prill. Veriu i sheh këto stërvitje të përbashkëta si një provë për përgatitjen e një lufte ndaj vendit komunist. Në këtë kuadër,  Peniani është zotuar të vazhdojë zhvillimin e programeve të tij bërthamore dhe ushtarake si një pengesë kundër agresionit të huaj. Seuli shpreson të përdorë lojërat olimpike dimërore që do të përfundojë më 25 shkurt, si një mundësi për të rivendosur komunikimin e rregullt me Penianin dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi programet e armëve bërthamore të Veriut. Dy fqinjët janë ndarë nga një kufi shumë i militarizuar që nga fundi i Luftës Koreane. Tensionet mes dy Koreve kanë qenë gjithashtu të larta mbi praninë ushtarake amerikane në rajon, kryesisht në Korenë e Jugut. Megjithatë, sa herë që ekziston një shans për lehtësimin e tensioneve midis dy Koreve, Uashingtoni dërgon një sinjal për Seulin për t'u tërhequr nga ky proces. Për fat të keq, kemi parë shumë lëkundje dhe tensione mes dy Koreve gjatë dekadave duke përfshirë vitet e hershme të këtij shekulli. Tani Koreja e Jugut synon që të paktën të lërë përshtypjen e një përmirësimi, sepse Seuli në të vërtetë ka nevojë për autorizimin e Nënkryetarit të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, për të filluar bisedimet  pa parakushte me koreanoveriorët. Më parë, ishte pozicioni amerikan se ata nuk do të donin të bisedonin me Veriun, nëse Peniani nuk ishte i angazhuar në procesin e çarmatimit bërthamor. Në planin afatgjatë, sigurisht, kjo do të jetë pika më problematike dhe më e mprehtë, sepse për Kim Jong-un është thjesht e paimagjinueshme, për të pranuar publikisht çdo nocion të heqjes dorë nga armët bërthamore, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të strategjisë së mbrojtjes së dhe të retorikës së Koresë së Veriut.