Rusia e fillon me fitore të thellë Kampionatin Botëror
Kombëtarja e Rusisë e ka filluar mbarë Kampionatin Botëror në shtëpi të vet, ku në Luzhniki Stadium ka mposhtur Arabinë Saudite me rezultat të thellë 5-0.
Plot 81 mijë shikues ishin të pranishëm në stadiumin më të madh të këtij Botërori. Fillimisht një ceremoni hapëse i parapriu këtij takimi, ku në një koreografi madhështore filloi kampionati i 21-të në histori. Atmosfera fantastike shtyu ekipin vendas drejt golit qysh në minutat e parë. Yuri Gazinskiy shënoi pas 12 minutash lojë goiln e parë të këtij kampionati me anë të krosimit të Golovin. Dominimi i Rusisë vazhdoi deri në fund të pjesës së parë, kur Denis Cheryshev me një manipulim fantastik të topit hutoi gjithë mbrojtjen arabe duke shënuar për 2-0. Arabia Saudite nuk po arrinte që të dilte para portës, kryesisht për shkak të mungesës së kombinimeve të sakta. Dzyuba pas 71 minutash lojë shfrytëzoi këtë mos përqëndrim të mysafirëve, duke shënuar për 3-0 me asistimin e dytë të Golovin në këtë takim. Denis Cheryshev në minutën e fundit të takimit me një gol fantastik me të jashtmen deklasoi portierin. Por, rezultatin përfundimtar e vulosi Golovin me një supergol nga gjuajtja e lirë, duke deklasuar sërish portierin. Kështu, Rusia fillon mbarë aventurën si nikoqire e Botërorit, duke kryesuar Grupin A, por që Egjipti dhe Uruguai nesër (e shtunë) zhvillojnë ndeshjen e parë në këtë garë. Rusia ndeshjen e ardhshme e zhvillon më 19 qershor ndaj Egjiptit në St. Petersburg Stadium.