Pas ankthit pa fund, buzëqesh Gjermania
(last modified Sat, 23 Jun 2018 20:13:26 GMT )
Qershor 23, 2018 22:13 Europe/Tirane
  • Pas ankthit pa fund, buzëqesh Gjermania

Kombëtarja e Gjermanisë ka fituar në fund me rezultat 2-1 ndaj asaj të Suedisë në ndeshjen e dytë të Grupit F në kuadër të Kupës së Botës “Rusia 2018”.

Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë me të dyja kombëtaret që krijuan nga disa raste për gol. Megjithatë, ishin vetëm suedezët atë të cilët gjetën golin në minutën e 32-të të ndeshjes. Ishte sulmuesi Ola Toivonen, i cili shënoi gol të bukur me parabolë për 1-0 pasi më parë u shërbye nga Viktor Claesson. Në pjesën e dytë, gjermanët hynë furishëm duke barazuar pas vetëm tre minutave lojë me anë të Marco Reus, i cili barazoi për 1-1. Vazhdimi i ndeshjes u bë edhe më interesant pas golit të barazimit, pasi Gjermania u hodh e gjitha në sulm pasi nuk kishte çfarë të humbte dhe krijoi shumë raste për gol. Në minutën e 82-të gjithçka u bë e vështirë për Gjermaninë pasi ishte Jerome Boateng që u ndëshkua me të kuq pas dy të verdhëve, por kjo nuk i dorëzoi gjermanët. Panzerët ishin gati disa herë ta gjejnë golin me anë të Gomez dhe Julian Brand, por ishte Kroos, i cili në minutën e fundit shtesë me një supergol ia siguroi fitoren 2-1. Në Grupin F lider është Meksika me gjashtë pikë, ndërsa Gjermania dhe Suedia me nga tri. Në ndeshjen e fundit të Grupit, Gjermania luan ndaj Koresë së Jugut, ndërsa Suedia ka përball Meksikën.