Palestinezët dënojnë veprimet e vendeve arabe
Për shkak të asaj se Liga Arabe nuk pranoi draftin e Palestinës që dënonte normalizimin mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), të rinjtë palestinezë morën një arkivol që simbolizonte Ligën dhe falën në mënyrë simbolike namazin e xhenazes të Ligës Arabe.
Palestinezët që zhvillojnë çdo javë protesta kundër vendbanimeve të paligjshme hebreje në rajonin Kafr Kaddum në lindje të qytetit Kalkilya, vendosën mbi një arkivol emblemën e Ligës Arabe dhe më pas falën në mënyrë simbolike namazin e xhenazes të Ligës Arabe. Drafti që Palestina përgatiti para takimit të Ligës Arabe kundër normalizimit mes Izraelit dhe EBA-së u refuzua nga disa vende arabe dhe për këtë arsye nga Liga nuk doli ndonjë vendim dënues. Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Maliki në një takim që u mbajt nëpërmjet telekonferencës tha se "Ne refuzojmë marrëveshjen mes Izraelit dhe EBA-së dhe duam që edhe ju të mos e pranoni". E themeluar në vitin 1945 për të rregulluar marrëdhëniet ekonomike, kulturore, politike dhe shoqërore mes vendeve arabe, Liga Arabe kritikohet se nuk ka qenë mjaftueshëm aktive gjatë viteve. Vëzhguesit theksojnë se shumë vendime të Ligës me 22 anëtarë kanë mbetur mbi letër.