Talebanët: Asnjë zgjatje e afatit të evakuimit nga Afganistani
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i113284-talebanët_asnjë_zgjatje_e_afatit_të_evakuimit_nga_afganistani
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Muxhahid tha sot se Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojnë evakuimin e njerëzve nga Afganistani deri më 31 gusht, që është afati i fundit i vendosur nga presidenti amerikan, Joe Biden për tërheqjen e trupave amerikane nga ai vend.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 24, 2021 15:52 Europe/Tirane
  • Talebanët: Asnjë zgjatje e afatit të evakuimit nga Afganistani

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Muxhahid tha sot se Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojnë evakuimin e njerëzve nga Afganistani deri më 31 gusht, që është afati i fundit i vendosur nga presidenti amerikan, Joe Biden për tërheqjen e trupave amerikane nga ai vend.

Muxhahid vuri në dukje se talebanët nuk do të pranojnë asnjë zgjatje të atij afati, raporton AP. Ai shpjegoi se jeta në vend “po kthehet në normalitet”, por se “kaosi në aeroport është një problem”. Muxhahid gjithashtu tha se ai nuk dinte asgjë për ndonjë takim midis udhëheqësit taleban, Abdul Ghani Baradar dhe drejtorit të CIA-s, William Barnes në Kabul të hënën. Presidenti amerikan, Joe Biden dërgoi drejtorin e CIA-s, William Burns për t’u takuar me udhëheqësin e Talebanëve, Abdul Ghani Baradar në Kabul të hënën në takimin zyrtar të nivelit më të lartë që kur grupi militant pushtoi kryeqytetin afgan. Kështu i tha agjencisë Reuter të martën një zyrtar amerikan dhe një burim i njohur me aktivitetet qeveritare. Të dy burimet folën në kushte anonimiteti. Administrata e Bidenit ka evakuuar qytetarët amerikanë dhe aleatët e tjerë mes kaosit në aeroportin e Kabulit para afatit të 31 gushtit për t’u tërhequr nga Afganistani. Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti, raportoi fillimisht takimin. Shtëpia e Bardhë dhe një përfaqësues i CIA-s nuk pranuan të komentojnë. Biden javën e kaluar tha se trupat amerikane mund të qëndrojnë në Afganistan pas afatit të tij të 31 gushtit për të evakuuar amerikanët. Sidoqoftë, zëdhënësi i Talebanëve, Zabihullah Muxhahid tha të martën se grupi nuk kishte rënë dakord të zgjasë afatin për evakuim dhe ata donin që të gjitha evakuimet e huaja të përfundonin deri më 31 gusht. Ndërsa Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë e quajti procesin e largimit të shtetasve të huaj nga aeroporti i Kabulit si shumë të ndërlikuar dhe të rrezikshëm. "Procesi i largimit nga Afganistani është i ndërlikuar, i rrezikshëm dhe shumë sfidues," tha ai, duke shtuar se "ne jemi duke u konsultuar me talebanët për të gjitha aspektet e daljes sonë dhe operacioneve brenda aeroportit." "Ne ende besojmë se procesi i evakuimit ditor po përparon dhe ne besojmë se procesi ka mundësi që të bëhet deri më 31 gusht," tha Jake Sullivan. Talibanët, të cilët ishin në gjendje të merrnin kontrollin e Kabulit më 15 gusht pasi morën kontrollin mbi kryeqendrat e ndryshme provinciale të Afganistanit, kanë marrë drejtimin dhe po kërkojnë që të gjitha trupat e huaja, përfshirë trupat amerikane dhe të NATO -s, të largohen nga Afganistani. Në situatën aktuale ku talebanët janë në një pozitë dominuese, amerikanët nuk duket se rrezikojnë duke marrë një veprim që provokon një reagim të paparashikueshëm nga grupi dhe po përpiqen të largohen nga Afganistani para një rezultati të pakëndshëm për qytetarët dhe ushtrinë e tyre.