Putin kritikon SHBA-në dhe Turqinë për Sirinë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar ushtritë e huaja se me prezencën e tyre të jashtëligjshme, po pengojnë progresin në Siri.
Putin priti në Moskë homologun sirian, Bashar al-Asad, për të diskutuar mbi bashkëpunimin ushtarak dhe planet për marrjen nën kontroll të zonave që tani u takojnë grupeve terroriste. Qeveria siriane kontrollon mbi 90 për qind të territorit pas konfliktit dhjetëvjeçar në vend, por presidenti rus tha se Amerika dhe Turqia po e sabotojnë koordinimin ruso-sirian. Ushtarët turq janë të shpërndarë në veri dhe veriperëndim ku ndodhet bastioni i fundit më i madh kundër qeverisë siriane, ndërsa forcat amerikane qëndrojnë në lindje dhe verilindje me pretekstin për të përkrahur kurdët kundër celulave të ISIS-it. Presidenti rus, Vladimir Putin theksoi: "Problemi kryesor, për mendimin tim, është se forcat e huaja të armatosura qëndrojnë ende në rajone të caktuara të vendit, pa miratimin e Kombeve të Bashkuara dhe pa lejen e Sirisë. Ishin përpjekjet tona të përbashkëta që e çliruan një pjesë të mirë të territorit të Sirisë". Asad, nga ana e tij, falënderoi udhëheqësin rus për ndihmën humanitare të dhënë në Siri dhe për përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e terrorizmit në vendin e tij. Presidenti sirian lavdëroi ushtritë ruse dhe siriane për suksesin e tyre në "çlirimin e territoreve të pushtuara" të Sirisë. Asad gjithashtu i përshkroi si "çnjerëzore" dhe "të paligjshme" sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Sirisë. Rusia është aleati më i fuqishëm i Sirisë dhe prej vitit 2015 e ka ndihmuar vendin nga toka dhe ajri për të fituar terren ndaj terroristëve të përkrahur nga fuqitë e huaja. Kremlini është ndëshkuar me sanksione nga Perëndimi për shkak të mbështetjes politike dhe ushtarake që i ofron qeverisë së Asadit.