Hamasi e merr legjitimitetin nga palestinezët dhe liridashësit
Vendimi i Britanisë për ta quajtur të paligjshme lëvizjen e rezistencës palestineze Hamas ka vazhduar të shkaktojë dënime, me kreun e Hamasit që tha se lëvizja e rezistencës e merr legjitimitetin e saj nga kombi palestinez dhe njerëzit e lirë të botës.
“Këto vendime, të cilat janë të një natyre politike, elektorale dhe të njëanshme në favor të Izraelit, nuk do të gjejnë asnjë vend apo ndikim mes popullit, liridashësve, elitave dhe grupeve që mbështesin Palestinën", tha të shtunën Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanijeh. Hanijeh tha se vendimi i Britanisë është një “sulm i ri ndaj popullit tonë dhe të drejtave të tij dhe është një hap i dënueshëm dhe i mjerueshëm që dëshmon varësinë e Britanisë nga regjimi sionist”. Ky vendim demonstron përpjekjet e regjimit pushtues sionist për të kriminalizuar luftën e popullit palestinez, theksoi ai. Kjo nuk do të na pengojë të vazhdojmë të mbrojmë popullin tonë dhe të drejtat e tyre me të gjitha mjetet legjitime përmes rezistencës gjithëpërfshirëse, shtoi Hanijeh. Edhe Lëvizja e rezistencës libaneze Hezbollah gjithashtu denoncoi me forcë vendimin e Britanisë, duke thënë se masa është një vazhdim i njëanshmërisë së Londrës në favor të regjimit izraelit dhe politikave të tij që bazohen në vrasje, terror, masakër dhe shkatërrim. Në një deklaratë të shtunën, Hezbollahu i bëri thirrje qeverisë britanike të zhbëjë përcaktimin e padrejtë të Hamasit si një organizatë terroriste. “Hezbollahu beson se ky vendim nuk do të prekë popullin palestinez që reziston, lëvizjen e rezistencës Hamas dhe luftëtarët e saj fisnikë, dhe pjesën tjetër të fraksioneve të rezistencës”, thuhet në deklaratë, sipas rrjetit televiziv al-Manar të Libanit. “Përkundrazi, vendimi i Britanisë do të përforcojë vendosmërinë e rezistencës palestineze për të luftuar armikun deri në arritjen e çlirimit dhe fitores”, shton deklarata.