Jordanezët protestojnë kundër marrëveshjes 'ujë kundrejt energjisë' me Izraelin
Mijëra jordanezë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër një marrëveshjeje 'ujë kundrejt energjisë' me Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e denoncuar atë si nënshtrim poshtërues.
Protesta u zhvillua mes pranisë së madhe të policisë në kryeqytetin Aman, pas lutjeve të së premtes. Gjatë demonstratës, pjesëmarrësit brohoritën "Jo marrëveshjes së turpit", dhe disa mbanin pankarta që shkruanin "Normalizimi është tradhti". Protesta u organizua nga një përzierje partish opozitare, duke përfshirë grupe islamike dhe të majta, si dhe grupime fisnore dhe sindikata. "Kjo marrëveshje synon të lidhë plotësisht Jordaninë me entitetin sionist. Nuk është një marrëveshje tregtare, është një marrëveshje normalizimi që është e turpshme dhe poshtëruese," tha Ali Abu Sukkar, një figurë e njohur opozitare. Jordania, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e nënshkruan marrëveshjen të hënën në prani të të dërguarit të SHBA për klimën, John Kerry. Sipas marrëveshjes, Jordania do të furnizojë Izraelin me 600 megavat energji të prodhuar nga një central diellor që do të ndërtohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili u bë vendi i parë arab i Gjirit Persik që normalizoi lidhjet me Tel Avivin vitin e kaluar, ndërsa në këmbim Izraeli do të siguronte mungesën e ujit të Jordanisë me 200 milionë metër kub ujë të shkripëzuar.