OKB: Një zgjidhje ushtarake e krizës në Siri mbetet një iluzion
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, ka mënjanuar të ashtuquajturën zgjidhje ushtarake të konfliktit dhjetëvjeçar në Siri si "një iluzion", duke deklaruar se palët ndërluftuese janë të bllokuara në një "ngërç strategjik" në terren në 21 muajt e kaluar.
Pedersen i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se është koha për të eksploruar nëse një proces politik në Siri mund të ecë dukshëm përpara vitin e ardhshëm. “Askush nuk duhet të presë mrekulli apo zgjidhje të shpejta – rruga përpara do të jetë sigurisht e vështirë. Por shpresoj se vitin që vjen mund të punojmë për hapa konkretë drejt zbatimit të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit”, tha ai. Diplomati norvegjez theksoi se ngërçi i vazhdueshëm i Sirisë “po e bën gjithnjë e më të qartë se asnjë aktor ekzistues apo grup aktorësh nuk mund të përcaktojë rezultatin e konfliktit dhe se një zgjidhje ushtarake mbetet një iluzion”. Pedersen deklaroi se ai mbetet "i angazhuar aktivisht" për të thirrur vitin e ardhshëm raundin e shtatë të bisedimeve midis përfaqësuesve të qeverisë siriane, grupeve të moderuara të opozitës dhe grupeve të shoqërisë civile mbi reformat kushtetuese.