Seanca e parë e Parlamentit të Irakut mbahet pas disa vonesave
Seanca e parë e Parlamentit të ri të Irakut pas shumë shtyrjeve dhe vonesave, sot më në fund pritet të zhvillohet në bazë të dekretit të lëshuar nga presidenti irakian gjatë së cilës deputetët do të japin betimin dhe do të zgjedhin kandidatët për postet e kryetarit të Parlamentit dhe dy zëvendësve të tij.
Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se seanca e parë e Parlamentit të Irakut ishte paraparë të fillojë sot në ora 11:00 sipas urdhrit të presidentit irakian Barham Saleh, por është shtyrë dy herë dhe ekzistojnë spekulime se fillimi i kësaj seance do të shtyhet për pasdite.
Barham Saleh, presidenti i Irakut, dhjetë ditë më parë me anë të një komunikate, ka kërkuar nga deputetët e rinj të Parlamentit të Irakut që mbledhjen e parë të tyre ta mbajnë më datë 9 janar të vitit 2022.
Mediat irakiane kanë publikuar pamje të pranisë së deputetëve të subjekteve dhe grupeve politike të ndryshme sunite, kurde dhe shiite në Parlament dhe kanë shkruar se deputetët e subjektit politik "Sadr" të veshur me qefinë kufome kanë shkuar në Parlament dhe grupet politike të ndryshme para fillimit të seancës së parë zyrtare të Parlamentit, janë duke zhvilluar bisedime dhe konsultime brenda grupeve dhe pikërisht për këtë arsye është shtyrë edhe një herë tjetër.
Seanca e parë e Parlamentit të Irakut pritet të drejtohet nga Mahamud Al-Mashhadani dhe gjatë kësaj seance deputetët do të bëjnë betimin dhe do të prezantohen kandidatët për postin e kryetarit të Parlamentit dhe dy zëvendëskryetarët.