Demonstrata të gjera në qytete të ndryshme të Jemenit
Mijëra jemenas demonstruan në qytete të ndryshme në shenjë proteste ndaj mizorive të koalicionit saudit.
Ndërkohë, sulmet i ka dënuar edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres. Më shumë se 60 jemenas u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur avionët luftarakë sauditë sulmuan dje një burg në provincën Saada të Jemenit. Këto sulme u bënë shkak për irritimin e popullit jemenas. Ata dolën dje në rrugë në të gjithë vendin dhe dënuan ashpër sulmet. Demonstruesit jemenas kërkuan gjithashtu heqjen e rrethimit të Jemenit. Organizata Jemenase për të Drejtat e Njeriut dhe Paqe në një deklaratë tha se sulmet, të cilat synonin kryesisht zona të banuara dhe civile, ishin abuzim i qartë me të drejtat e njeriut dhe krime lufte. Në deklaratë kritikohet ashpër edhe heshtja e bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare përballë këtyre krimeve. Në një pjesë tjetër të deklaratës thuhet se: Standardet e dyfishta për abuzimet e të drejtave të njeriut në mbarë botën janë karakteristikë e këtyre vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Organizata Jemenase për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave ndërkombëtare që të marrin një qëndrim të qartë kundër këtyre krimeve. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ashtu si në të kaluarën, dënoi vetëm sulmet e koalicionit saudit ndaj popullit jemenas dhe bëri thirrje për një hetim të shpejtë, aktiv dhe transparent për të sjellë autorët para drejtësisë.