Bagdadi shpall zi kombëtare, digjet flamuri turk
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i130090-bagdadi_shpall_zi_kombëtare_digjet_flamuri_turk
Bagdadi ka shpallur një ditë zie kombëtare të enjten për viktimat e një sulmi që i atribuohet Turqisë në një resort turistik në rajonin gjysmë autonom të Kurdistanit në Irakun verior.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 21, 2022 15:28 Europe/Tirane
  • Bagdadi shpall zi kombëtare, digjet flamuri turk

Bagdadi ka shpallur një ditë zie kombëtare të enjten për viktimat e një sulmi që i atribuohet Turqisë në një resort turistik në rajonin gjysmë autonom të Kurdistanit në Irakun verior.

Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi e bëri njoftimin, pas një sulmi që kishte në shënjestër fshatin Parkhe të mërkurën pasdite, duke lënë të vdekur nëntë turistë, përfshirë fëmijë dhe gra, dhe 23 të tjerë të plagosur. Të gjitha viktimat ishin shtetas irakianë. Sulmi i Turqisë, i cili u krye me pretekstin e luftimit të elementëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), ka shkaktuar një valë dënimi dhe urrejtje në popullin irakian. Sipas këtij raporti, pasditen e kësaj të enjte, mijëra irakianë, veçanërisht të rinjtë e këtij vendi, shprehën zemërimin e tyre para ambasadës turke në Bagdad duke mbajtur një demonstratë. Protestuesit në Bagdad kërkuan dëbimin e ambasadorit turk nga Iraku dhe ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike me Ankaranë. Mijëra banorë të Basrës kanë mbajtur sot një demonstratë para konsullatës turke në këtë qytet. Gjatë protestave të tyre, protestuesit i vunë flakën flamurit turk. Ndërkohë, Ministria e Jashtme turke mohoi çdo përfshirje të ushtrisë turke në sulmin me artileri në provincën Dahuk dhe ia atribuoi atë grupit PKK. Nga ana tjetër, PKK-ja përmes një komunikate ka njoftuar se nuk ka forca në zonën e sulmuar dhe se ato zona janë nën pushtimin e ushtrisë turke. Ministria e Jashtme irakiane theksoi se një përgjigje diplomatike në nivelin më të lartë do të miratohet në lidhje me sulmin vdekjeprurës dhe çështja do t'i referohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, Hadi al-Ameri, kreu i Aleancës Fatah në Parlamentin e Irakut, ka dënuar ashpër sulmin turk, duke kërkuar mbylljen e menjëhershme të kufijve të Irakut me Turqinë.