BE i 'tronditur' nga fotot e grevistit palestinez Avaudeh
Bashkimi Evropian tha se është "i tronditur" nga fotografitë e trupit të dobësuar të të burgosurit palestinez Khalil Avaudeh, i cili ka qenë në një grevë urie të vazhdueshme për gati gjashtë muaj në shenjë proteste ndaj ndalimit të tij pa gjyq apo akuzë nga Izraeli, duke kërkuar lirimin e tij.
“I tronditur nga fotot e tmerrshme të Avaudeh, i cili është në grevë urie për 169 ditë në shenjë proteste kundër ndalimit të tij pa akuza dhe është në rrezik eminent për të vdekur”, tha delegacioni i BE-së në Palestinë në një postim të publikuar në faqen e tij në Twitter. “Nëse nuk akuzohet menjëherë, ai duhet të lirohet”, theksohet në postimin e delegacionit të BE-së. Thirrjet ndërkombëtare po rriten për lirimin e 40-vjeçarit Avaudeh, pasi të dielën gruaja e tij ndau imazhe të trupit të tij jashtëzakonisht të dobësuar, një ditë pasi ajo vizitoi dhomën e tij në spital. Mjekët kanë paralajmëruar se Avaudeh është në rrezik të vdekjes eminent, pasi trupi i tij arriti në një fazë tepër të brishtë. Avaudeh tha në një mesazh se "trupi i tij, mbi të cilin kanë mbetur vetëm kocka dhe lëkura, nuk pasqyron dobësinë dhe lakuriqësinë e popullit palestinez, por përkundrazi pasqyron fytyrën e vërtetë të pushtimit ". Ai shtoi se ka hyrë në grevë urie për të thënë se “ka një të burgosur pa asnjë akuzë që po proteston kundër paraburgimit barbar të tij në burgjet e regjimit izraelit”.