Trazira në Irak pas largimit të Moktada Sadr
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i131490-trazira_në_irak_pas_largimit_të_moktada_sadr
20 irakianë u vranë dhe 350 u plagosën të hënën pasi kleriku i fuqishëm mysliman shi'it, Moktada al-Sadr tha se do të largohej nga politika, duke i shtyrë besnikët e tij të sulmojnë një kompleks qeveritar në Bagdad dhe të përlesheshin me mbështetësit e grupeve rivale.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 30, 2022 02:58 Europe/Tirane
  • Trazira në Irak pas largimit të Moktada Sadr

20 irakianë u vranë dhe 350 u plagosën të hënën pasi kleriku i fuqishëm mysliman shi'it, Moktada al-Sadr tha se do të largohej nga politika, duke i shtyrë besnikët e tij të sulmojnë një kompleks qeveritar në Bagdad dhe të përlesheshin me mbështetësit e grupeve rivale.

Të rinjtë besnikë të Sadr-it sulmuan selinë e qeverisë në Zonën e Gjelbër të Bagdadit dhe dolën në rrugë jashtë zonës ku u përleshën me mbështetësit e grupeve rivale. Ndërsa të shtënat me armë u dëgjuan mbi kryeqytet, disa njerëz u panë duke gjuajtur me armë drejt radhëve të mbështetësve të Sadr-it, thanë dëshmitarët, ndërsa të tjerë qëlluan në ajër në një vend ku armët qarkullojnë me shumicë pas vitesh konflikti dhe trazirash. Kleriku i fuqishëm mysliman shiit i Irakut, Moktada al-Sadr tha të hënën se ai do të largohej nga politika dhe do të mbyllte institucionet e tij në përgjigje të një ngërçi të vështirë politik, një vendim ky që mund të nxisë paqëndrueshmëri. “Kam vendosur të mos përzihem në çështjet politike. Prandaj, unë njoftoj tani largimin tim përfundimtar”, shkroi Sadr në një postim të publikuar të hënën në llogarinë e tij në Twitter. Në deklaratën e tij, Sadr sulmoi gjithashtu kundërshtarët e tij politikë dhe tha se ata nuk kishin dëgjuar thirrjet e tij për reforma. Sadr kishte kërkuar shpërbërjen e parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Ai gjithashtu u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij që të vazhdojnë protestën brenda parlamentit deri në plotësimin e kërkesave të tij. Blloku i Sadr-it doli nga zgjedhjet e tetorit të kaluar si fraksioni më i madh parlamentar, por ishte ende shumë larg shumicës. Pas njoftimit të Sadr, dhjetëra mbështetës të tij sulmuan Pallatin Republikan të hënën, i cili është një ndërtesë ceremoniale brenda Zonës së Gjelbër të fortifikuar të ndërtesave qeveritare të Bagdadit. Pas trazirave, Komanda e Përbashkët e Operacioneve të Irakut vendosi një shtetrrethim të plotë në kryeqytetin  Bagdad deri në njoftimin e mëtejshëm, i cili do të fillojë në orën 19:00 me orën lokale, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve INA. Ajo u kërkoi gjithashtu protestuesve të largoheshin nga Zona e Gjelbër për të shmangur përplasjet. Rrjeti i lajmeve al-Sumaria i Irakut raportoi gjithashtu se policia irakiane ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Pas trazirave dhe pasi protestuesit pro-Sadr depërtuan në selinë e qeverisë, kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi pezulloi seancat e kabinetit deri në njoftimin e mëtejshëm, njoftoi agjencia e lajmeve INA. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për "përmbajtje" në Irak dhe u kërkoi të gjitha palëve "të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar situatën". Sekretari i Përgjithshëm "ka ndjekur me shqetësim protestat e vazhdueshme në Irak sot, gjatë të cilave demonstruesit hynë në ndërtesat qeveritare", tha në një deklaratë zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric. “Ai apelon për qetësi dhe përmbajtje dhe u kërkon të gjithë aktorëve përkatës që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të shmangur çdo dhunë”, shtoi Dujarric. “Sekretari i Përgjithshëm u kërkon fuqimisht të gjitha palëve dhe aktorëve të ngrihen mbi dallimet e tyre dhe të angazhohen, pa vonesa të mëtejshme, në një dialog paqësor dhe gjithëpërfshirës për një rrugë konstruktive përpara”, vuri në dukje ai.