A duhet ti besojë Asadi Erdoganit?
Përpara një paneli gazetarësh të pranishëm në një takim dhe në prani të ekspertëve politikë sirianë, presidenti i Sirisë Bashar Asad vuri në dukje se Republika Islamike e Iranit ka qenë gjithmonë në krah të Sirisë në aspektin e çështjeve ushtarake dhe ekonomike, duke specifikuar se nëse Turqia ose vendet arabe synojnë të normalizojnë marrëdhëniet e tyre me Damaskun, u takon atyre ta tregojnë këtë qasje me vepra dhe jo me fjalë.
Presidenti sirian Bashar Asad trajtoi çështje të ndryshme gjatë këtij takimi, por shumica e fjalimit të tij u fokusua në çështjet e brendshme siriane, përkatësisht pasojat e luftës në shoqërinë dhe ekonominë e vendit, si dhe kushtet e vështira të jetesës me të cilat po përballen sirianët që nga fillimi i sanksioneve dhe bllokadës perëndimore. Më tej në fjalët e tij ai ngriti disa çështje aktuale politike në lidhje me marrëdhëniet me vendet fqinje të Sirisë, përfshirë Turqinë. Në këtë drejtim, Presidenti sirian iu referua rifillimit të marrëdhënieve me Turqinë, duke vënë në dukje se marrëdhëniet mes Damaskut dhe Ankarasë aktualisht janë të kufizuara në bashkëpunimin e inteligjencës dhe se kjo mund të çojë në një nivel më të mirë të takimeve mes autoriteteve të të dy vendeve, veçanërisht pasi Turqia ka treguar vullnet të mirë për t'iu përgjigjur kërkesave të Damaskut. Siria pret që Turqia të ndërmarrë veprime dhe jo thjesht të flasë, tha presidenti sirian, duke shtuar se megjithëse Ankaraja tregon sinqeritet më të madh sesa disa vende arabe në qasjen e saj, nuk ka asnjë arsye për të përcaktuar nëse qëndrimi turk është serioz apo nëse është thjesht një manovrim politik. Ai argumentoi se gazetarët dhe studiuesit e matin ndryshimin në politikën e një vendi në bazë të ndryshimit në pikëpamjet e njerëzve, dhe bëri thirrje për një largim nga publikimi i deklaratave pompoze, duke theksuar se deklaratat duhet të shoqërohen me veprime konkrete. Asad pohoi gjithashtu se po zhvilloheshin shkëmbime me forcat kurde në lidhje me çështjet e përditshme. Deklaratat e presidentit sirian vijnë pasi këshilltarja e tij speciale Busaina Shaban sqaroi se Turqia po përdor pretekste të dobëta për të mbajtur grupet terroriste në Sirinë veriperëndimore. Asnjë vend nuk ka të drejtë të mbrojë sigurinë e tij brenda kufijve të një kombi tjetër, tha ajo. Në përgjigje të deklaratave të fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me mundësinë e marrëdhënieve më të ngushta me Damaskun, ajo theksoi: Këto deklarata janë pjesë e një fushate mediatike dhe nuk bazohen në realitetin ekzistues. Deklaratat e zyrtarëve turq mbi marrëdhëniet me Damaskun janë mashtruese, tha ajo.