Vazhdojnë sulmet e artilerisë saudite në Jemen
Burimet e lajmeve raportuan se sulmet me artileri të Arabisë Saudite në zonat kufitare të provincës Saada në veri të Jemenit lanë 1 të vdekur dhe 7 të plagosur.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Jemenit (Saba), ushtria e Arabisë Saudite ka vënë në shënjestër zonën "Afra" të qytetit kufitar Manba, që ndodhet në provincën Saada. Sipas këtij raporti, si pasojë e këtyre sulmeve është vrarë një civil dhe janë plagosur shtatë të tjerë, mes të cilëve 2 emigrantë afrikanë. Të mërkurën, 2 civilë jemenas u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën në sulmet e ushtrisë saudite në zonën “Al Moqen” të qytetit Manbeh. Zonat kufitare të provincës Saada pothuajse çdo ditë po përjetojnë sulme me raketa, artilerie dhe të shtëna nga ushtarët agresorë sauditë. Arabia Saudite, në formën e një koalicioni të disa vendeve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me ndihmën dhe dritën jeshile të Shteteve të Bashkuara, ndërmori sulme masive kundër Jemenit - vendi më i varfër arab - me pretekstin e kthimit të Abd Rabbo Mansour Hadit, presidenti i vetë-dorëhequr dhe i arratisur i këtij vendi. Por koalicioni saudit nuk mundi t'i arrijë këto qëllime për shkak të rezistencës së guximshme të popullit dhe forcave të armatosura jemenase dhe operacioneve të tyre speciale raketore dhe me dronë. Për shkak të kësaj ajo u detyrua të pranonte një armëpushim, i cili përfundoi pas tre fazave dymujore si rezultat i shkeljeve të koalicionit agresor arab.