20 të vrarë e të plagosur në sulmin izraelit kundër Sirisë
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i139974-20_të_vrarë_e_të_plagosur_në_sulmin_izraelit_kundër_sirisë
Izraeli ka kryer një sulm të ri me raketa në kryeqytetin sirian Damask dhe zonat përreth tij, ndërsa regjimi sionist vazhdon aktet e tij të agresionit kundër Sirisë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shkurt 19, 2023 03:21 Europe/Tirane
  • 20 të vrarë e të plagosur në sulmin izraelit kundër Sirisë

Izraeli ka kryer një sulm të ri me raketa në kryeqytetin sirian Damask dhe zonat përreth tij, ndërsa regjimi sionist vazhdon aktet e tij të agresionit kundër Sirisë.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Sirisë SANA, mbrojtja ajrore siriane iu përgjigj sulmit të ri raketor të Izraelit, i cili u zhvillua herët të dielën, duke rrëzuar shumicën e këtyre raketave. Pas sulmit, tha SANA, raketat izraelite goditën një numër ndërtesash banimi kryesisht në lagjen Kafr Sousa në qendër të Damaskut. Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha se në këtë sulm pesë persona u vranë, duke përfshirë një ushtar, ndërsa pesëmbëdhjetë të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve në gjendje kritike. Një burim ushtarak sirian u citua nga SANA të thoshte se raketat izraelite u qëlluan nga Lartësitë e Golanit të pushtuar, duke synuar disa lokacione në Damask dhe periferitë e tij, duke përfshirë lagjet e banuara nga civilët. Burimi tha se shumica e raketave izraelite u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Sirisë. Siria është ankuar vazhdimisht në OKB për sulmet izraelite, duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë veprime kundër krimeve të Tel Avivit. Megjithatë, thirrjet e Damaskut kanë rënë në vesh të shurdhër. Në fillim të nëntorit 2022, Ministri sirian i Punëve të Jashtme Faisal Mekdad theksoi se vendi i tij patjetër do të japë një përgjigje dërrmuese ndaj akteve të tilla agresioni në një moment në të ardhmen.