Arabia Saudite do të rihapë ambasadën në Damask pas 12 vitesh
Burime të informuara bënë të ditur se Arabia Saudite planifikon të rihapë ambasadën e saj në Damask pas muajit të shenjtë të Ramazanit.
Agjencia e lajmeve Mehr njoftoi se burime të informuara kanë thënë se ndërmjetësimet e Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë dhënë rezultate dhe Arabia Saudite po kërkon të rihapë përfaqësinë e saj diplomatike në kryeqytetin sirian pas 12 vitesh.
Këto burime shtuan se pas marrëveshjes së fundit mes Iranit dhe Arabisë Saudite, përpjekjet e Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe pas dyerve të mbyllura kanë qenë të frytshme dhe kanë çuar në afrimin e Arabisë Saudite dhe Sirisë.
Sipas burimeve të informuara, pas Fitër Bajramit, ministri i jashtëm saudit Fajsal Bin Farhan ka planifikuar të vizitojë Damaskun dhe gjatë udhëtimit të tij do të shpallë zyrtarisht rihapjen e ambasadës saudite në Damask.
Kjo është në kohën kur Fajsal bin Farhan theksoi në një deklaratë rreth 10 ditë më parë; vendet arabe kanë arritur në përfundimin se nuk ka kuptim të izolohet Siria dhe është e nevojshme të negociohet me Sirinë për të zgjidhur problemet e vendit, veçanërisht çështjet humanitare.